Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se sot i ka vizituar në Hagë ish-deputetin e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Bislimi ka treguar se si e gjeti Selimin.
Ka thënë se e ka gjetur të disponuar dhe me besim të plotë në drejtësi.
“Sot vizitova në Hagë mikun tim Rexhep Selimin. Si gjithnjë i disponuar dhe me besim të plote në drejtësi”, ka shkruar ai.
Tutje, në njoftim, Bislimi ka thënë se Selimit nuk i kishte ikur asnjë detaj nga zhvillimet politike në Kosovë dhe ka bërë të ditur e ka takuar edhe Jakup Krasniqin.
“Edhe pse larg Kosovës, nuk i kishte ikur as edhe një detaj i vetëm nga zhvillimet politike në vend. Gjithashtu pashë edhe bacën Jakup që po mbahej jashtëzakonisht mirë. Tri orë ikën si 30 minuta”, ka njoftuar ai.
Bislimi nuk ka bërë të ditur nëse gjatë vizitës së tij ka pasur rastin të takojë edhe ndonjërin prej të mbajturve të tjerë në Hagë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi apo ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli. /GazetaExpress