Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës Faton Bislimi, ka komentuar debatin e zhvilluar sot në Kuvendin e Kosovës ku kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, është quajtur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, si kryeministër “Koti”.
Bislimi në emisionin Info Magazine në Klan Kosova tha se kjo gjuhë është shembull i keq dhe nuk e ka vendin në parlament.
Sipas tij nëse deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje salla e Kuvendit iu duket teatër, ata mund të vazhdojnë me sarkazmin e tyre.
“Absolutisht gjuhë jo parlamentare. Shembull i keq ndaj atyre që e kanë ndjekur debatin parlamentar. Duhet të kursehen nga cinizmat dhe sarkazmën. Ai njeri udhëheq me institucionin është kryeministër. Ky është një shembull i keq. Nëse ne më parë kemi pasur këtë. Ajo çka nuk po e thotë z.Abrashi, është se z. Gashi kërkoi falje, çka nuk e bëri z. Abrashi në këtë debat. Ne të gjithë duhet ta zbatojmë rregulloren e Kuvendit, duhet të jemi të shembull”.
“Deputeti i LDK-së ka kërkuar falje, tash barra i bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje ta bëjnë një gjë të tillë. Por, nëse atyre salla e Kuvendit ju duket teatër atëherë ata le të vazhdojnë me sarkazmin e tyre. Unë e kuptoj sjelljen e z. Abrashi dhe të deputetëve të tjerë të bën të qeshësh dhe një kohësisht të qashë duke krijuar skena tragjiko-komike. Kjo gjuhë nuk duhet të gjente vend në Kuvend, mund të gjente ndoshta në debatet në televizion”.
Bislimi shtoi se thirrja e tillë ndaj kryeministrit Hoti është cenim i integritetit personal.
“Zëvendësimi i mbiemrit me një mbiemër siç edhe u përmend në Kuvend sot, është cenim i integritetit personal. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të mos pranojë gjuhë të tillë të denigrimit të asnjë personaliteti. Kjo nuk ka të bëjë me imunitet, sepse Hoti ka qenë edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti”.
“Ka pasur edhe terme të tjera të rënda që janë përdorur sot në Kuvend. Është quajtur terrorizim për qytetarët që ne kemi diskutuar sot për impiantin e ujërave të zeza në Gjilan. Më 30 maj 2019 ka një vendim të Kuvendit Komunal që janë shpronësuar të gjithë”.
Ai theksoi se veprimet e tilla duke fyer njëri-tjetrin nuk japin rezultate pozitive.
“Ne nuk duam të rikthehemi në kohërat e kaluara kur Kuvendi ishte arenë e gazit lotsjellës që nuk ka pasur asnjë rezultat pozitiv. Nëse orientojmë debatin në këtë formë Vetëvendosje mund të diskutojë për “Kotin” ne mund të gjejmë ndonjë shprehje tjetër dhe të diskutojmë në këtë drejtim deri në gjysmë të natës. Qytetarëve ju intereson zgjidhja e problemeve sikur edhe ajo e impiantit të ujërave të zeza në Gjilan”.
Deputeti i LDK-së foli edhe për rastin e shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike.
“Znj. Osmani nuk besoj se ka nevojë për avokatë aq më pak nga Lëvizja Vetëvendosje. Vjosa Osmani e ka vendin në Lidhjen Demokratike e Kosovës.Ju që thatë për enkuizitet. Ju e keni ndërruar statutin e partisë për ta bërë atë kryeministër dhe për t’ia ruajtur kryetarin e partisë”.