Zëvëndëskryeminsitri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se kanë arritur marrëveshje me palën serbe sa i përket targave.
“Kemi tentuar që të detyrojmë Serbinë që të largojë edhe procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë. Ky ka qenë edhe rezultati i sotëm dhe mund të themi që është një marrëveshje. Do të preferonim shumë më tepër që të mos ketë asnjë barrierë dhe që të dy shtetet të njohin në tërësi tabelat e vendeve të tjera dhe ky do të jetë objektivi kryesor i grupit punues të cilin do ta themelojmë dhe i cili do të fillojë të takohet që nga data 21 tetor”.
Bislimi ka deklaruar se e vetmja pikë ku Serbia nuk e ka dhënë pëlqimin, para se kjo marrëveshje të konsiderohet e finalizuar, ka të bëjë me veturat KM, njofton Klankosova.tv.
“Ne kemi dakordim për të gjitha pikat. E vetmja pikë në të cilën pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin ‘stickers’ dhe ne mendojmë që kjo është absurde për arsye se ato tabela janë ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizon poseduesit ilegalë të tabelave kështu që edhe ata do të duhen të kenë të njëjtin sistem”.