Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i është kundërpërgjigjur zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili kritikoi moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.
Përmes platformës “X”, Bislimi ka shkruar se përderisa nuk ka kërkesë zyrtare nga Serbia, atëherë s’mund të ketë vendim.
“Nuk janë planifikuar zgjedhje këtë vit në shtetin tonë. Nëse autoritetet e shteteve tjera preferojnë të organizojnë zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, atëherë duhet që zyrtarisht t’i kërkojnë autoriteteve tona një vendim pozitiv dhe përkrahje. Tentimi për të organizuar zgjedhje pa një kërkesë paraprake apo vendim pozitiv, nuk është në frymën e dialogut dhe nuk i kontribuojnë ndërtimi të besimit. Përderisa nuk ka një kërkesë zyrtare direkte, atëherë nuk mund të ketë vendim. Z. Stano besoj se e di këtë”, ka shkruar Bislimi.
Stano kishte thënë se është për keqardhje që praktika e vendosur e lejimit të serbëve të Kosovës që të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare serbe me lehtësimin e OSBE-së nuk u lejua sërish nga autoritetet e Kosovës”. Ai tha se vendimi nuk është në përputhje me frymën e dialogut.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi mbahen më 17 dhjetor.