Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bensik Bislimi, është deklaruar për media pas takimit trepalësh me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq dhe Miroslav Lajçakun, emsiar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Bislimi ka thënë se pala serbe ka kërkuar që të financohen çfarëdo strukture paralele e Serbisë, por pa dashur të tregojë se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.
Por Bislimi ka thënë se as emisari Lajçak nuk e ka mirëkuptuar këtë kërkesë.
“Jo, por një prej problemeve i cili është diskutuar në javët e kaluara është si të mundësohet financimi edhe më tej i shkollave dhe ambulancave të cilat operojnë në katër komunat në veri e në komunat tjera, por sot pala serbe ka kërkuar që të financohen çfarëdo strukture paralele e Serbisë, por pa dashur të tregojë se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë, dhe ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin”, ka deklaruar Bislimi.
Më poshtë, pyetjet drejtuar ndaj bislimit dhe përgjigjet
Takimi i sotëm për dallim nga takimet e tjera ka qenë shumë më i konkretizuar, ku palët kanë diskutuar nen për nen rreth ideve që ka prezantuar z. Lajçak dy javë më herët. Ne kemi shpresuar që ky diskutim konkret do jetë i dobishëm meqë do të na ndihmojë që t’i afrojmë qëndrimet. Fatkeqësisht ne kemi dëgjuar disa deklarata bukur brengosëse nga ana e Serbisë, të cilat kanë bërë që faktikisht qëndrimet në vend që të afrohen të largohen.
Përshembull sot për herë të parë ne kemi parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si ata e shohin procesin e krijimit të asociacionit, përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Poashtu vazhdoi loja e vjetër me tendenca që të sigurohen metoda përmes të cilave do të merrnin garancione për licensimin e institucioneve ilegale siç është “Postanska Banka” në Kosovë. Duke parë se qëndrimet nuk po mund të afrohen, pas disa orëve bisedime, Lajçak duke respektuar linjat e kuqe të palëve, ka dalë me një propozim të ri, e i cili pak a shumë do të duhej të ishte propozimi i fundit që del nga z. Lajçak dhe në të cilin ne duhet të japim komentet tona gjatë ditëve në vijim.
Mund të them se propozimi i z. Lajçak është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve, shkon në drejtimin e duhur, por kërkon kohë nga të dy palët që t’i analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme.
Pyetje: Përmendët asociacionin, a është diskutuar në përgjithësi apo vetëm për këtë çështje që ka të bëjë me pagesat?
Bislimi: Jo, por një prej problemeve i cili është diskutuar në javët e kaluara është si të mundësohet financimi edhe më tej i shkollave dhe ambulancave të cilat operojnë në katër komunat në veri e në komunat tjera, por sot pala serbe ka kërkuar që të financohen çfarëdo strukture paralele e Serbisë, por pa dashur të tregojë se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë, dhe ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin.
Pyetje: Propozimi i fundit i Lajçak para këtij për palën kosovare ishte i pranueshëm, ju e kishit cilësuar të konsoliduar…
Bislimi: Jo, jo të pranueshëm, ne kemi thënë është propozim konstruktiv që shkon në drejtimin e duhur.
Pyetje: Tani nëse Lajçak i përafron vijat e kuqe të të dyja palëve a i bie që është më i modifikuar dhe përafron qëndrimet?
Bislimi: Le të themi që propozimi i sotëm është më i detajizuar sesa propozimi i javës së kaluar dhe sqaron më mirë disa prej pikave dhe vërejtjeve të cilat ne kemi pas në idetë e tij fillestare.
Pyetje: A është edhe ky propozim konstruktiv?
Bislimi: Unë mendoj që është një përpjekje e mirë e z. Lajçak që të gjejë një zgjidhje. Edhe z. Lajçak njësoj si pala kosovare brengën kryesore e ka se si individët të cilët janë prekur nga vendimi i BQK-së apo rregullorja e BQK-së, të mund të vazhdojnë të marrin mbështetjen financiare përderisa Serbia edhe sot gjithë brengën e saj e ka patur se si duhet të licensohen institucione paralele të Serbisë në Kosovë.
Pyetje: A duhet të takoheni prapë për të diskutuar për të njëjtën temë?
Bislimi: Ne kemi marrë përkushtimin që në një periudhë kohore prej një jave të dërgojmë sygjerimet apo brengat tona për propozimin e fundit e pastaj z. Lajçak do përpiqet të aranzhojë një takim, le të themi në fundin e javës së dytë të muajit maj.