Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një konferencë për media ka folur për takimet dy ditore që ka pasur në Bruksel me palën serbe dhe Emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Bislimi tha se pala serbe është dakorduar që të hapen arkivat shtetërore. Ai tha poashtu që ndërprerja e marrëveshjes për targat që ka pasur afat skandence është interpretuar nga Bashkimi Evropian si shkelje nga ana e palës kosovare.
“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, tha ai.
Ai ka thënë se mosvazhdimi i marrëveshjes për targat është interpretuar si shkelje e marrëveshjes prej palës kosovare nga BE-ja.
“Një pjesë e madhe e problemeve që ne ballafaqohemi janë disa vendimet që janë bërë në të kaluarën që përdoren si argument nga BE-ja. Në fillim të shtatorit 2020, Qeveria e Kosovës e ka ndërprerë nxjerrjen e targave KS. Ideja ka qenë që palët të gjejnë një zgjidhje kalimtare pas 15 shtatorit, pala evropiane këtë e ka interpretuar si shkelje të një anshme të Kosovës. Unë kam argumentuar se kjo nuk përbën shkelje sepse targat në Kosovë nxjerren për një vit dhe marrëveshja ka qenë me skadencë me datën 15 shtator rrjedhimisht do të ishte ilegale që të nxjerren tabela me KS sepse të njëjtat nuk do të kishin validitetin e plotë një vjeçar. Prandaj ne nuk e shohim këtë si shkelje të marrëveshjes, Kosova e ka respektuar në plotni këtë marrëveshje”, tha Bislimi.
Kryenegociatori kosovar në dialog tha se Petkoviqit s’do t’i lejohet vizita në Kosovë përderisa vazhdon të provokojë dhe të mbështesë strukturat ilegale.
“Moslejimi i vizitës së Petkoviq të shtunën e kaluar, të gjithë ekipit të palës serbe i është lejuar vizita përveç atij, ne kemi argumentuar se Petkoviq ka përdorur gjuhë provokative dhe ka marrë pjesë në inaugurimin e një objekti ilegal rrjedhimisht ka përdorur vizitat e tij për të përforcuar dhe mbështetur strukturat paralele ilegale, rrjedhimisht atij nuk do t’i lejohet më vizita në Kosovë nëse nuk ndodhin disa përmirësime në terren”, tha ai.
Bislimi ka folur edhe për moratoriumin në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit, për të cilën ka thënë se moratoriumi një vjeçar ka kaluar.
“Moratoriumi ka pasur një mandat 1 vjeçar që i ka skaduar mandati me 4 shtator dhe moratoriumi ka pasur si limitim anëtarësimin në organizata ndërkombëtare jo angazhimet për njohje”, tha ai.