Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi në konferencën e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian në gjashtë vjetorin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes për Stabilizim Asociim, ka potencuar se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike.
Sipas Bislimit, performanca buxhetore në tre muajt e parë të vitit 2022 tregon se në Kosova ka rritje hyrave buxhetore në raport e vitin paraprak për 25.4 për qind.
“Diku 120 milionë kemi më shumë të hyra në buxhet sesa kemi pasur vitin e kaluar, e viti i kaluar ka qenë një vit jashtëzakonisht i mirë. Kjo tregon që përkundër brengave dhe përkundër dëshirës që të ngjallim një lloj paniku te qytetarët për krizë ekonomike, numrat e kundërshtojnë këtë në mënyrë të fuqishme”, ka potencuar Bislimi.
Më tej, Bislimi pranoi se dy vitet e fundit kanë qenë të vështira për qeverinë, qytetarët e bizneset për shkak të pandemisë dhe krizës energjetike, mirëpo sipas tij shifrat për rritje ekonomike janë kokëforta.
“Rritja ekonomike nuk matet me vrojtime, ose me bindje ose opinione, mirëpo janë statistika të vrazhda të cilat grumbullohen nga disa agjenci, dhe do të ishte e palogjikshme të diskutojmë mbi vërtetësinë e këtyre shifrave”, ka shtuar ai.
Megjithatë përkundër pretendimeve të Bislimit se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike, muajve të fundit është parë një rritje enorme e çmimeve të produkteve esenciale që kanë ndikuar në mënyrë direkte te shporta e konsumatorit.