Komuna e Vitisë prej 7 ditësh gjendet në karantinë, duke mos u lejuar hyrjet-daljet e qytetarëve të kësaj komune me komunat fqinje, si pasojë e pandemisë Covid-19.
Kjo gjendje po shkakton pakënaqësi tek bizneset edhe tek qytetarët, pasi brenda territorit të kësaj komune gjendet edhe komuna e Kllokotit, dhe punktet e Policisë së Kosovës janë vendosur brenda territorit të komunës së Vitisë dhe jo në hyrje-daljet e kësaj komune, që janë fshati Budrikë, kufizimi me komunën e Gjilanit, fshati Ramjan, kufizimi me komunën e Ferizajt dhe fshati Begracë, komuna e Kaçanikut.
Vendimi i marr nga Qeveria e Kosovës për futjen në karantinë të kësaj komune, po vlerësohet i dëmshëm nga bizneset e kësaj komune, të cilat e kanë të pamundur vazhdimin e punës, si pasojë e punkteve policore të vendosura përbrenda kësaj komune. Këta të fundit nuk janë për të mos respektuar masat e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së pandemisë, por thonë se po u bëhet padrejtësi, sepse raste të reja me Covid-19 çdo ditë po rezultojnë në komuna të ndryshme të Kosovës, por për ndryshim nga komuna e Vitisë, aty po futen në karantinë vetëm fshatrat dhe jo komunat në tërësi.
“Ne nuk po mundemi me punu, edhe pse Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka dhënë udhëzimet e reja që prodhimtaria dhe disa biznese të tjera mund të punojnë. Kjo po ndodh sepse neve punëtorët nuk po naj lejojnë me qarkullu Policia” ka thënë për PlusTV Enver Haziri, pronar i një biznesi prodhues.
Gjithashtu edhe Isuf Zuka pronar i biznesit Vinex dhe Xhemajl Hasani pronar në biznesin Rekos Sh.P.K, i cili është edhe kryetar i Shoqatës së Bizneseve në Viti, kanë kërkuar në emër të shoqatës që të rishikohet vendimi për heqjen e komunës së Vitisë nga karantina.
Qëndrim të njëjtë ka pasur edhe i pari i Vitisë Sokol Haliti, i cili ka vlerësuar se nuk është konsultuar fare nga niveli qendror për vendosjen e masave ndaj komunës së Vitisë.
Bizneset e Vitisë janë duke e vuajtur më së shumti gjendjen aktuale të karantinës dhe kjo po ndikon edhe në ekonominë e kësaj komune, e cila çdo ditë e më shumë po dëmtohet në raport me komuna tjera si pasojë e izolimit dhe pamundësisë për të ushtruar aktivitetin e tyre.
Aktualisht në komunën e Vitisë janë 7 raste me Covid-19, të gjithë nga fshati Stubëll dhe fatmirësisht nuk ka raste të tjera të infektuar në këtë komunë./PlusTV/