Nënkampioni i Kosovës në Superligë, KF Llapi, sot ka prezantuar transferimin e parë për sezonin e ri. Bëhet fjalë për ish-lojtarin e Dritës në sezonin që lamë pas, Blend Baftiu, i cili ka nënshkruar me skuadrën llapjane për dy sezone.
26-vjeçari që luan si mesfushor ofensiv është bërë përforcimi i parë për Llapin për sezonin e ardhshëm, i cili do t’i ndihmojë skuadrës edhe në kualifikimet për gara evropiane.
Baftiu që vitet më të arta i pati te Ballkani i Suharekës, luajti për dy sezone te Intelektualët, ku bëri 84 paraqitje, duke shënuar 16 gola e dhuruar nëntë asistime.
Në prezantimin e Blend Baftiut, ishte legjenda e futbollit kosovar tani drejtori sportiv i Llapit, Mentor Zhdrella, i cili tha se janë të lumtur që kanë siguruar shërbimet e 26-vjeçarit.
“Jemi shumë të lumtur që kemi siguruar shërbimet e Blend Baftiut. Ai do të sjellë një dimension të ri në lojën tonë dhe presim me padurim që të shohim kontributin e tij në fushë. Kjo është një shenjë e ambicieve tona për të arritur sukses në të gjitha garat ku marrim pjesë, duke nisur nga ato të Ligës së Evropës.”
Baftiu në anën tjetër, tha se është i lumtur që i është bashkuar një skuadre me traditë dhe me tifozë fantastik.
“Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e KF Llapi. Ky është një klub me traditë dhe tifozë fantastikë. Shpresoj që së bashku të arrijmë rezultate të shkëlqyera dhe të bëjmë krenarë të gjithë mbështetësit tanë.”