Njohësi i çështjeve politike, Blerim Latifi, njëherësh edhe profesor universitar, ka krahasuar të bëmat e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, me ato të figurës kombëtare shqiptare, Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
Latifi këtë krahasim e ka bërë me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, duke thënë se sikurse Zelenskyn sot, Skenderbeun një kohë e lavdëronin mbarë Evropa, duke e quajtur “hero të lavdishëm”.
“Këto adresimet që Zelenski po ua bën parlamenteve perëndimore më kujtojnë letrat që Skënderbeu u dërgonte shteteve europiane për t’u kërkuar ndihmë në rezistencën e tij kundër invadimit osman. Njësoj si Zelenskin sot, edhe Skënderbeun e duartrokisin gjithandej Europës, e quanin hero të lavdishëm, mbrojtës të Krishterimit, i madh e i vogël e mbante në gojë, herë pas here i dërgonin edhe ndihma ushtarake, por në fund të ditës atij i duhej të mbështetej vetëm në forcat e veta për t’i ndalur osmanët”, shkruan profesori universitar.
“Kështu plot 25 vjet. Urojmë që Zelenski dhe populli i tij të mos e kenë fatin tragjik të Skënderbeut dhe shqiptarëve!”, përfundon njohësi i rrethanave politike.