Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, është shtegu i vetëm i duhur për dy vendet.
Blinken, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, tha se ky shteg do t’i sjellë të gjithë drejt një të ardhme më të mirë.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i duhuri dhe është shtegu i vetëm i duhur. Jemi të angazhuar që të bëjmë gjithçka që mundeni që të mbështesim të dyja vendet, derisa vendet përshkojnë këtë shteng. Po ashtu dua të përgëzojë edhe rolin e Shqipërisë që ka qenë një forcë për stabilitet rajonal dhe integrim rajonal. Ky është shtegu që kaq qartazi i sjellë të gjithë drejt një të ardhme më të mirë. Ne e dimë se cila është alternativa, pasi e kemi përjetuar dhe parë. Prandaj jemi të vendosur që të mbështesim të gjitha vendet e rajonit që të marrin këtë shteg dhe mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja që të shkojmë përpara”, tha ai.
Kryediplomati amerikan në konferencën e përbashkët për medie me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, tha se ShBA-ja e ka të qartë se çfarë ka ndodhur 30 vjet më parë në rajon dhe se nuk mund të ketë përsëritje të asaj që ka ngjarë.
“Kur nisa të punoja në Departament të Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, çështja apo sfida që ishte atëherë ishte Ballkani, fillimisht Bosnja dhe pastaj Kosova. Shumë prej nesh kanë një histori që shkon thellë dhe është e gjatë. Kush më shumë sesa presidenti Biden dhe ju e dini këtë shumë mirë. Jemi persona që kemi këtë nocion që nuk mund të shkojmë prapa në të ardhmen, të asaj që ka ngjarë dhe asaj që kemi parë. Për këtë arsye jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me njëri tjetrin dhe Evropën”, tha ai.
Duke folur për raportet me Shqipërinë, Blinken tha se ky partneritet është më i fortë se kurdoherë.
“Kryeministri është një partner i jashtëzakonshëm i SHBA-së. Ky partneritet mes dy vendeve tona është më i fortë sesa ka qenë ndonjëherë. Jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin, që të përfitojë edhe populli shqiptar. Ndërkohë që Shqipëria ka qenë një anëtare e përkohshme e KS të OKB-së, kemi folur për gjëra të rëndësishme. Për Ukrainën, që është përballur me sulmin e Rusisë”, theksoi Blinken.