Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ka shprehur miratimin e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e propozimit të tyre për BE nga 27 shkurti.
“Ne përgëzojmë Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës për lidershipin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje”, tha Blinken.
“Përmbushja e detyrimeve të Kosovës dhe Serbisë sipas Marrëveshjes Themelore, si pjesë e përkushtimit të qëndrueshëm për pajtim, do të sigurojë mundësi të rëndësishme për njerëzit e të dy vendeve dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.” – ka thënë ai.
Blinken shtoi se Shtetet e Bashkuara “do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive”, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në funksionimin e zbatimit drejt një marrëdhënieje “të parashikueshme dhe paqësore”.
Ai ka thënë se ShBA do të vazhdojë të mbështesë avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, raporton The Pavlovic Today.
“Falënderojmë BE-në për lehtësimin e bisedimeve dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për pritjen e palëve dhe mbështetjen për finalizimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Blinken.