Kryeministri në detyrë, Albin Kurti para takimit me liderët e subjekteve politike shpreson të arrijnë një zgjidhje për të dalë nga ngërçi i krijuar për shkak të mos konstituimit të Kuvendit për më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të nëntë shkurtit.
Në një prononcim për media para takimit, Kurti tha se do të shohë se kush do të merr pjesë në takim.
“Tash po shkojmë në mbledhje, së pari ta shohim se kush po vjen, si po ecën e mandej shpresoj që të kemi çfarë të themi”, tha Kurti.
Kurti ka ftuar për takim liderët e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda afatit prej tridhjetë ditësh.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA janë përgjigjur se do të jenë pjesë e takimit.
Lëvizje Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po këmbëngulin në votim të fshehtë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare e re e Kuvendit, pasi kjo e fundit ka dështuar në gjashtë votime të hapura të merr besimin, teksa Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA po kërkojnë që votimit të jetë i hapur dhe gjithashtu po kërkojë ndryshimin e emrit të kandidati për kryetar të ri të Kuvendit.
Lëvizje Vetëvendosje, Guxo e Alternativa aktualisht nuk i kanë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Kjo e fundit ka thënë se do të tërhiqet nga kandidatura nëse dështon të merr besimin në raundin e parë të votimit të fshehtë.