Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar këtë të enjte se shpreson që javën e ardhshme të takohet me përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.
Takimi do të zhvillohet në një kohë tensioni mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të refuzimit të serbëve të Kosovës për të pranuar kryetarët e rinj shqiptar të Kosovës në katër komunat veriore ku është i përqendruar minoriteti serb i Kosovës.
“Unë do t’i thërras të dyja palët, në Serbi dhe Kosovë, për një takim për menaxhimin e krizave këtu në Bruksel javën e ardhshme”, tha Borrell pas mbërritjes së tij në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel dhe ku merr pjesë kreu i diplomacisë evropiane.
Sipas medias spanjolle “El Punt Avui”, Borrell ka thënë se duke pasur parasysh gjendjen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, ajo i kthehet “metodës së menaxhimit të krizës”, duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës.
Sa i përket rastit për tre policët e Kosovës, Borrell theksoi se BE “po përpiqet të përcaktojë saktësisht se çfarë ka ndodhur” dhe se BE-ja është “në kontakt të ngushtë” me komandën e misionit të NATO-s në Kosovë dhe me Beogradin dhe Prishtinën “për të parë se çfarë ndodhi në të vërtetë këtu dhe çfarë çoi në këtë arrestim”.
“E dini se ka pasur një incident atje lidhur me arrestimin e tre zyrtarëve policorë nga Kosova dhe ne po përpiqemi të kuptojmë saktë se çka ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe të dyja palët në mënyrë që të shohim se çka ka ndodhur në të vërtetë që ka shpirë në këtë arrestim”, ka thënë ai për gazetarët para nisjes së takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së me NATO-n.
“Ndërkohë duhet të kërkojmë qetësi në terren”, tha Shefi i Diplomacisë Evropiane.