Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian insiston që Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumice serbe sa më shpejt që të jetë e mundur, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Teksa i çoi një mesazh të prerë kryeministrit Albin Kurti, shtoi se nuk ka mundësi ta detyrojë Kosovën ta bëjë këtë, thuhet në përgjigjen e diplomatit spanjoll në një pyetje parlamentare “çfarë do të bëjnë me refuzimin e Kosovës për të formuar Asociacionin”, raporton N1.
Po ashtu, Borrell është shprehur se BE-ja vazhdimisht u ka kujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme.
“Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe Kosova duhet të përmbushë obligimin ligjor dhe ta zbatojë atë”.
“Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet në pritje, si dhe të bëjnë përpjekje të mëtejshme të rëndësishme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është vendimtare për rrugën e tyre evropiane”, theksoi Borrell.
Ai shtoi se “plotësimi i nevojave të komunitetit pakicë serb në Kosovë është i një rëndësie të madhe për BE-në në Kosovë” dhe se Brukseli po monitoron me kujdes zhvillimin e situatës në ato zona.
“EULEX-i mbështet në mënyrë aktive institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, duke përfshirë përpjekjet e tyre për të hetuar incidentet e sigurisë në lidhje me objektet fetare dhe kulturore. BE-ja vazhdimisht u ka kujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, tha Borell.
“BE-ja i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, duke përfshirë të drejtat dhe liritë fetare të komuniteteve pakicë dhe monitoron me kujdes të gjitha zhvillimet në këto zona në Kosovë”, shtoi ai.