Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, ka komentuar procesin gjyqësor në Hagë, ku ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte.
Bosch fillimisht ka komentuar mënyrën se si askush nuk guxoi t’i dalë kundër raportit të Dick Martyt, pasi Marty atëbotë kishte krijuar njëfarë reputacioni.
Bosch tha se ky raport është i tmerrshëm.
“Më lejoni të them se çka mendoj për këtë Gjykatën Speciale. Në 2010 z. Marty doli me një raport, për Kuvendin parlamentar të Këshillit të Evropës. Ai kishte një reputacion, sepse më herët kishte pasur një raport për qendrat e paraburgimit në SHBA, të gjithë mendonin se ishin gjëra të kota, por dolën të vërteta dhe kishte një reputacion të mirë. Kur doli me këtë raport askush nuk guxoi të thoshte se kjo ndoshta nuk ishte e vërtet, sepse kishin thënë më herët, por tani nuk mundeshin. Shumë njerëz e besuan këtë raport, ishte i tmerrshëm, sepse pjesa kryesore e këtij raporti kishte të bënte me trafikim organesh dhe po të kishte qenë e vërtet do të ishte e tmerrshme. Atëherë njerëzit thanë se kjo çështje duhet hetuar”, ka thënë ai për Kanal10.
Njëherit, Bosch kritikoi edhe Qeverinë e Kosovës për qëndrimin e saj ndaj këtij raporti. Ai tha se Kosova do të duhej t’i bënte vetë hetimet që ky raport sugjeroi.
“Atëherë mendoj se Qeveria e Kosovës gaboi se do duhej të kishte thënë se ky është raport i tmerrshëm, nuk është i vërtetë dhe ne vetë do duhej t’i bënim këto hetime. UNMIK-u kishte hetuar dhe kishte dal se nuk kishte asgjë. Prokurori kryesor kishte qenë Johanes. Ai më tha mua se s’kishte asgjë të vërtet për të hetuar. Atëherë Qeveria do duhej të kishte kërkuar Johanes që të hetonte edhe një herë”.
“Në 2015 vendosen të themelojnë këtë Gjykatë Speciale por, njëkohësisht edhe z. Williamson ishte duke hetuar gjitha këto akuza për të parë se a kishte prova të mjaftueshme për të dëshmuar trafikim organesh, por çfarë doli ishte se nuk kishte trafikim organesh, që ishte arsyeja kryesore se përse u bë kjo gjykatë”, ka thënë ai.