Botoksi që përdoret në klinikat private në Kosovë është duke u importuar jashtëligjshëm nga operatorët ekonomikë. Kjo, meqë asnjë kompani nuk e ka regjistruar këtë produkt në AKPM. Dogana dhe Inspektorati Farmaceutik i kanë pasur disa aksione për konfiskime, por megjithatë ky produkt vazhdon të importohet në Kosovë.
Botoksi është një nga produktet më të aplikuara në mjekësinë estetike në Kosovë, veçmas në institucionet private shëndetësore, shkruan Gazeta Shneta.
Botoksi është emër komercial i produktit onabotulinumtoxinA. Botoksi është toksinë që prodhohet nga bakteria Clostridium botulinum, dhe përdoret në mjekësi në doza të vogla për efekte relaksuese të muskujve.
Botoksi përdoret në mjekësinë estetike për reduktimin e rrudhave dhe formësimin e fytyrës, si dhe pjesë të tjera të trupit. Në rrjetet sociale vazhdimisht ofrohen shërbime me oferta të ndryshme nga institucionet private.
Por ky produkt është duke u importuar jashtëligjshëm në vendin tonë. Kjo për arsye se për ta importuar Botoksin në Kosovë, duhet paraprakisht të regjistrohet dhe të merret licenca e quajtur Autorizim Marketing (AM) në Agjencionin për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPM).
Ky institucion i ka konfirmuar Gazetës Shneta se deri më sot asnjë operator ekonomik nuk ka aplikuar për AM për Botoks.
“Ju njoftojmë se produktet me përbërje biologjike, si në rastin e onabotulinumtoxinA, klasifikohen si produkte medicinale, për të cilat kërkohet autorizim marketingu për tregtim”, kanë deklaruar nga AKPM.
Nga ky institucion kanë thënë se ky detyrim bazohet në Ligjin për Produktet dhe Pajisjet Medicinale (L-190), përkatësisht Udhëzimit Administrativ për Autorizimin e Marketingut, produktet me përbërje biologjike i nënshtrohen procedurës së regjistrimit vetëm nëse posedojnë EMA, CPP dhe FDA (produkte medicinale të regjistruara dhe në qarkullim në shtetet e BE-së).
“Gjithashtu, ju njoftojmë se AKPPM ka në zbatim dy udhëzime për regjistrimin e produkteve medicinale sipas marrëveshjes së njëanshme me shtetet e Anglisë dhe Gjermanisë, të cilat përcaktojnë procedurën e thjeshtësuar për regjistrimin e produkteve medicinale që janë vetëm në qarkullim në vendet e tyre”, kanë deklaruar nga AKPM.
Megjithatë, në anjë variant produkti Botoks nuk është regjistruar me AM në Kosovë.
“Sa i përket regjistrimit të produktit Botox në Republikën e Kosovës, ju informojmë se deri më tani nuk është regjistruar”, kanë konfirmuar nga AKPM.
Dogana e Kosovës këtë vit në dy raste ka konfiskuar Botoks. Në një aksion më 9 shtator të këtij viti Dogana kapi Botoks dhe Fillerë në vlerë rreth 5 mijë euro në një automjet në Prishtinë. Ndërsa në një aksion të ngjashëm bashkë me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Farmaceutik në muajin mars e arrestuan një shtetas turk si dhe i konfiskuan rreth 860 flakrona të produktit Botoks.
Megjithatë, ky produkt gjen përdorim të gjerë në shumë klinika dhe ordinanca private në Kosovë. Gazeta ka kërkuar sqarime nga Dogana e Kosovës nëse po lejohet importimi i këtij produkti në vend pa AM, por ky institucion nuk i ka kthyer përgjigje Gazetës Shneta.
Nga Inspektorati Farmaceutik kanë deklaruar se janë duke hetuar në vazhdimësi për importin e Botoksit pa AM.
“Inspektorati Farmaceutik e ka ngritur këtë shqetësim lidhur me produktin Botox dhe ka realizuar një numer të madh të inspektimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosoves si dhe inspektime të përbashkëta me Inspektoratin Shëndetësor dhe në rastet ku eshtë takuar produkti në fjalë është konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik si dhe janë marrë masa ndëshkuese konform dispozitave ligjore në fuqi. Inspektorati farmaceutik se bashku me Inspektoratin Shëndetësor dhe Policinë e Kosoves është duke e trajtuar me prioritet këtë çështje”, kanë deklaruar nga IF.
Gazeta ka kontaktuar edhe me një kompani që bën shitje të Botoksit në Prishtinë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Shneta/