Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me disa udhëzime për kujdes të shtuar nga monedhat e falsifikuara në qarkullim.
BQK udhëzon bizneset që furnizimin me monedha të bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i ri-qarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës jep udhëzime shtesë për kujdes të shtuar nga monedhat e falsifikuara në qarkullim. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në vijim të komunikatës dhe udhëzimeve të datës 7 nëntor 2023, me qëllim të udhëzimeve shtesë dhe sqarimit të paqartësive të ngritura, njofton qytetarët dhe bizneset se të gjitha denominimet në Euro të kartëmonedhave dhe monedhave të vërteta (origjinal), pa përjashtim, janë mjet i vlefshëm pagese në Republikën e Kosovës. BQK duke njohur rëndësinë që ka furnizimi i ekonomisë së Republikës së Kosovës me para të gatshme dhe nevojën që të ruhet besueshmëria dhe integriteti i Euros në përdorimin e saj si mjet pagese, është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale dhe teknike”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Teksa kanë përmendur monedhën 2 euroshe, BQK ka thënë se asnjë monedhë apo kartëmonedhë origjinale nuk mund të përjashtohet nga përdorimi.
“Asnjë autoritet tjetër nuk mund të vendos për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave. Si rezultat i bashkërendimit të aktiviteteve që dalin nga detyrat dhe plani i përbashkët, dhe veprimit efektiv të konfiskimit të një sasie të madhe të monedhave të denominimit prej 2 € nga organet e zbatimit të ligjit, ku edhe BQK kishte kontribut, edhe më tej udhëzohen qytetarët dhe bizneset të vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar gjatë transaksioneve me këtë denominim”, thuhet tutje.
Madje sipas tyre, monedhat e vërteta janë të dallueshme nga ato të falsifikuara.
“Monedhat e vërteta janë të dallueshme nga ato të falsifikuara dhe se ka disa mundësi që të identifikohen. Monedhat e falsifikuara përgjithësisht kanë veti të ndryshme magnetike nga ato të vërteta, si dhe në pamje kanë një kualitet të dobët të detajeve, zakonisht ngjyrë të ndryshme të rrethit dhe sipërfaqes brenda rrethit dhe mungesë të shkronjave në skaje. Prandaj BQK udhëzon qytetarët dhe bizneset që për një verifikim më të lehtë të bazohen në manualin e publikuar në vijim”, kanë përfunduar ata.