Diskutimi për kërkesat e grupit “Marakli t’kerreve”, lidhur me vendimin për rritje të tarifave për sigurim të automjeteve prej 26 për qind, është shtyrë për javën e ardhshme.
Kjo për faktin që shumica e përfaqësuesve të këtij grupi, sipas Agan Hajdarhoxhës, kanë qenë të angazhuar në dërgimin e ndihmave në Shqipëri, pas tërmetit të 26 nëntorit, shkruan sot Koha Ditore. Hajdarhoxha ka thënë se Banka Qendrore e Kosovës i ka ftuar në një takim për diskutim të kërkesave, porse ata kanë kërkuar që takimi të shtyhet për javën e ardhme.
“Na kanë ftuar në BQK prapë në takim, por për shkak të aktiviteteve në Shqipëri, e patëm të pamundur të shkojmë, andaj e kemi shtyrë deri në javën tjetër”, ka thënë Hajdarhoxha.
Ai ka thënë se deri mëngjesin e së premtes shumica e stafit të këtij grupi kanë qenë në Shqipëri, derisa ka shtuar se beson që takimin me udhëheqësit e BQK-së do ta mbajnë javën tjetër.
Përveç pezullimit të vendimit, me të cilin BQK-ja rriti tarifat e sigurimit të automjeteve për 26 për qind, që ka qenë kërkesa e parë e tyre, ky grup ka kërkuar që edhe shqyrtimi i vendimit të ri të bëhet së bashku me ta, si përfaqësues të qytetarëve, por edhe me pjesëmarrjen e akterëve të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Kërkesa e tretë e tyre ka qenë zhvillimi i një ankete-hulumtimi me qytetarë në lidhje me çmimin e sigurimeve (anketa-hulumtimi të bëhet bashkë me ne, pra, grupi ynë ‘Marakli t’kerreve’ të jetë i përfshirë në këtë projekt)