Ambasadori britanik, Neil Holland, shef i misionit të OSBE-së në Serbi, ka bërë thirrje për lirimin e tre policëve të Kosovës që u kidnapuan nga forcat speciale serbe, në brendi të territorit të Kosovës.
Në raportin e tij për muajin qershor, Holland, thotë se dy vendet, Kosova dhe Serbia, duhet të ulin tensionet menjëherë.
“Britania e Madhe është shumë e vetëdijshme për rritjen e fundit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Mbretëria e Bashkuar bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor. Qeveritë e Serbisë dhe Kosovës duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa drejt de-përshkallëzimit menjëherë”, ka thënë Holland në raportin e tij.
Tutje, ai tha se Britania e Madhe i ka përsëritur thirrjet ndaj Qeverisë së Kosovës që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të komunave t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative dhe që njësitë e Policisë Speciale të tërhiqen nga afërsia e ndërtesave komunale.
“Ne i ripërsërisim thirrjet për Qeverinë e Kosovës që të përkujdeset që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat nga lokacione alternative, dhe që njësitë e Policisë Speciale të tërhiqen nga objektet e komunave. Zgjedhje të reja, gjithëpërfshirëse, duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur – në të cilën ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë. Ne presim që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillohet të punohet, pa vonesa të mëtutjeshme, me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në raportin e tij./teve1.info/