Shfaqja “Bryma e Vdekjes” ia ka hapur dyert Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, që mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar kulturor “Flaka e Janarit 2020”, Festivalin “Talia e Flakës” e shpalli të hapur Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit, ndërsa që në mbrëmjen e parë u dëshmua dashuria e madhe që ka publiku i Gjilanit për teatrin dhe për shfaqjet e mbretëreshës “Talia…”, një festival ky unik, i profilizuar e me karakter garues.
Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, duke e shpallur të hapur Festivalin e Dramës Shqipe, bëri thirrje që teatrot e qyteteve të Kosovës, por edhe të gjitha teatrot shqiptare, kudo që ato veprojnë, të prodhojnë sa më shumë vepra të autorëve shqiptar.
Në natën e parë, u dha shfaqja “Bryma e vdekjes” me autor Milazim Krasniqi e në regji të Burbuqe Berishës, ku luajtën aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës: Valmir Krasniqi, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Afrim Muçaj, Albulena Kryeziu, Blerta Deliu-Kodra, Artiola Hamdija, Ismet Azemi, Xhejlane Godanci, Shpejtim Kastrati, Labinot Raci, Adhurim Demi, Naim Berisha, Ramadan Malaj dhe Thana Deliu.
Përmes kësaj shfaqjeje, aktorët sollën para publikut në Gjilan një rrëfim prekës mbi të kaluarën shqiptare, sollën një dramë që na solli në kujtesë tmerret që përjetuan qytetarët gjatë luftës së Kosovës, të cilit depërtoheshin me dhunë nga ushtria e policia serbe, edhe për në kampin e njohur, tani më për ne, në atë të Bllacës.
Shfaqja e cila solli dhembjen e qytetarëve të depërtuar për në Bllacë, provokoi shikuesit e pranishëm në sallë. Edhe për ata që kanë mundur ta përjetojnë në lëkurën e tyre, edhe për ata që kanë dëgjuar e parë dhe edhe për të tjerët, “Bryma e vdekjes”, solli përjetime nga lufta e fundit, te ndonjëri prej shikuesve edhe lot e dhembje, e për të gjithë të pranishmit, gjithsesi pjesë të një historie që do t’i shërbejë mbamendjes kolektive.
Ngjarja ndodhë në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, në Bllacë, që ishte zgjedhur si vendqëndrim i detyrueshëm për mijëra civilë shqiptarë, viktima të spastrimit etnik të ushtruar nga Serbia.
Përmes rrëfimit të ndodhive të familjeve të ndryshme në këtë kamp u pasqyrua ajo pjesë e dhimbshme e historisë së popullit tonë, eksodi i vitit 1999. Personazhi kryesor Fitimi, një djalë i ri, i traumatizuar nga ato që i ka përjetuar në luftë dhe nga dhuna policore, tani në kamp, ndonëse flet përçart, me ato që i thotë del mjaftë i “kthjelltë”. Ai nuk mund të pajtohet me atë se pse nuk ka qëndruar të luftojë si luftëtarët e lirisë. Madje ai gjatë shfaqjes e thotë një gjë të rëndësishme, se të gjithë ata që luftojnë për liri janë njerëz, e të tjerët rob që do të vdesin në baltën e Bllacës.
Përgjatë këtij rrëfimi që sjellë “Bryma e vdekjes”, vihet në spikamë edhe një plakë e cila paraqitet si shurdhmemece, por që në fakt është një pjesëtare e shërbimit sekret serb e kamufluar në mesin e refugjatëve. Pastaj bashkëpunim i i saj me policët maqedonas, që kishin për qëllim, që përveç që ta zbrazin Kosovën nga shqiptarët, e të mos i lejojnë në Maqedoni, ata edhe të thyheshin sa më shumë shpirtërisht. Ndërsa për ata që mendojnë se shqiptarëve u duhet një prijës që do t’i organizonte dhe bashkonte në luftën për liri, edhe eliminimi fizik, siç ndodh në fund edhe me vrasjen e Fitimit nga spiunia serbe.
Ajo që e preku thellësisht publikun ishte po ashtu tragjedia e një familje tjetër që ishte pjesë e kampit, të cilës i vdes fëmijë në mungesë të ushqimit dhe përkujdesit shëndetësor.
Një shfaqje e tillë, e cila na solli kujtimet nga përjetimet kolektive të shqiptarëve të Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre në vitin 1999, duhet të na shërbej për mbamendje.
Përndryshe, në këtë Festival që ka karakter garues, nga organizatori u bë e ditur edhe juria në përbërjeje Agim Selimi, regjisor, Visar Krusha dramaturg dhe Ekrem Sopi regjisor, që do t’i vlerësojnë prurjet e këtij edicioni të Festivalit.
Në natën e dytë të Festivalit të dramës Shqipe “Talia e Flakës”, do të jepet shfaqja “Shkamat” me tekst dhe me regji të Fadil Hysajt me aktor të teatrit Etnofest.