Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e ka quajtur dhunim të demokracisë, ndaljen e grevës pa dialog social.
Përmes një reagimi publik, BSPK është shprehur se Qeveria po i bënë presion Sindikatave që ta ndërpresin grevën e filluar me kërkesë të rritje së pagave.
Sipas komunikatës, BSPK e konsideron shkelje ligjore ndaljen e grevës pa dialoguar dhe pa arritur marrëveshje.
“Qeveria është duke u munduar të gjejë rrugë jo të mira, kryesisht të presionit joparimor dhe vetëm e vetëm për të bindur grevistët të ndalin Grevën e Përgjithshme.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës porosit Partnerin Social – Qeverinë se ndalja e grevës së përgjithshme pa dialog social është dhunim i demokracisë.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës njofton opinionin se BSPK-ja do të bënte shkelje të ligjit për greva e mbi të gjitha shkelje të rëndë të parimeve dhe normave sindikale po që se do të ndalte grevën pa u ulur në karrigen e tavolinës së dialogut social dhe pa arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftim.