Me stilin e tij të veçantë dhe shpesh të ngjitur me realitetin e përditshëm, aktori i njohur Fatmir Spahiu – “Bufi” – ka reaguar përmes një statusi të shkurtër, por kuptimplotë në rrjete sociale:“Gilani e paska ndrru regjistrimin e kerreve prej 06 në ZH”.
Edhe pse në pamje të parë duket si koment për ndonjë ndryshim në sistemin e targave, në fakt statusi i Bufit ka një domethënie krejt tjetër, ardhjen e bashkatdhetarëve në Kosovë për pushimet verore.
Muaji korrik dhe gusht tradicionalisht sjellin fluksin më të madh të bashkatdhetarëve që rikthehen në vendlindje me veturat e tyre me targa të huaja. Rrugët e Gjilanit dhe gjithë Kosovës mbushen me vetura nga Zvicra, Gjermania, Austria e shumë vende të tjera, duke sjellë një atmosferë të veçantë verore që për shumëkënd është sinonim i gëzimit, ritakimeve dhe gjallërisë në qytet.
Statusi i Bufit, me humor dhe shkathtësi, portretizon këtë realitet që për ne është i njohur e i dashur: kthimin e mërgimtarëve. “ZH” nuk është thjesht një kod – është një shenjë e pranisë së diasporës, që për një muaj e kthen Gjilanin në një qytet ndërkombëtar.
Ky muaj mbetet një periudhë e veçantë për të gjithë: për ata që kthehen me mall, dhe për ata që i presin me zemër. Mesazhi është i qartë:
Mirë se vini në vendlindje./Radio Star/