“Bujana Produkt” vazhdon rrugëtimin e saj të suksesshëm me zgjerimin më të fundit jashtë kufijve të Kosovës. Kësaj radhe, destinacioni është qyteti i Augsburgut në Gjermani, ku është hapur pika më e re me emrin “Coffee & Cake House Bujana”, një bashkëpunim i suksesshëm me Drinin, një tjetër emër i njohur në fushën e gastronomisë.
Hapja e kësaj pike të re shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e “Bujana Produkt”, që prej vitesh është bërë sinonim i cilësisë dhe shijes autentike shqiptare. Kjo iniciativë nuk është vetëm një zgjerim biznesi, por edhe një mundësi për të sjellë më afër bashkatdhetarëve në mërgatë produktet që i kujtojnë atyre vendlindjen.
Përmes një postimi, themeluesit e “Bujana Produkt” kanë shprehur falënderimet e tyre ndaj Zotit për mundësinë e re, si dhe ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve dhe klientëve që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
“Zgjerimi ynë është fryt i përkushtimit të madh për cilësi dhe falë mbështetjes së shqiptarëve kudo që jetojnë. Faleminderit që jeni pjesë e kësaj rruge të përbashkët”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tyre.
Pika e re në Augsburg do të ofrojë një përvojë të plotë për adhuruesit e kafesë dhe ëmbëlsirave, me një ambient modern dhe mikpritës, ku aroma e brumit të freskët dhe e kafesë së sapo përgatitur do të krijojnë atmosferën ideale për çaste të këndshme.
Për komunitetin shqiptar në Gjermani, kjo hapje është më shumë sesa një vend i ri për të shijuar ëmbëlsira është një copëz e vendlindjes, një kujtim i gjallë i traditës dhe shijes së pastër shqiptare.