Bujar Nevzati ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme politike, duke u zgjedhur për herë të tetë asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Me këtë rezultat, Nevzati jo vetëm që ruan statusin e tij si më i votuari nga radhët e PDK-së, por gjithashtu hyn në historinë politike lokale si një ndër përfaqësuesit më jetëgjatë dhe më të besuar nga qytetarët e Gjilanit.
Në një reagim pas shpalljes së rezultateve, ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e pandërprerë ndër vite:
“Të dashur familjarë e miq, të nderuar bashkëvendas të Përlepnicës dhe anëtarë të PDK-së në Gjilan!
Si edhe në të gjitha mandatet e mëparshme, do të jem përfaqësuesi juaj në Asamblenë e Gjilanit.
Të jem i besuari juaj për 25 vjet më bën krenar dhe mirënjohës, sepse ky besim tregon se kam qëndruar drejt, i ndershëm dhe i përkushtuar për zhvillimin e qytetit tonë.”
Nevzati ka vlerësuar lart edhe kontributin e votuesve të PDK-së dhe të kandidatit për kryetar, z. Rijad Rashiti, duke theksuar se do të vazhdojë të angazhohet në shërbim të interesit të përbashkët dhe mirëqenies qytetare.
“Do të jem kudo dhe kurdo në krah të qytetarëve, në mbrojtje të drejtësisë dhe në përpjekje për zhvillimin e Gjilanit tonë. Do të mbetem ai që e keni njohur e besuar tash e 25 vjet e më shumë.”
Me këtë fitore, Bujar Nevzati e dëshmon përkushtimin dhe besueshmërinë e tij të gjatë politike, duke u rikthyer në Asamblenë e Gjilanit si një zë i fortë për qytetarët dhe përfaqësimin e vlerave të Partisë Demokratike të Kosovës.