Parlamenti bullgar ka miratuar propozimin e presidencës franceze të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Kjo është bërë përmes një projektvendimi të dorëzuar nga bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov, në të cilin thuhet se, Bullgaria do të mbështesë çdo hap të procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut në specifikimin e kornizës negociuese dhe konkluzioneve të Këshillit për të siguruar përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën maqedonase “ku përmenden popujt e tjerë dhe në kushte të barabarta me këta popuj”.
Miratimi dhe pranimi nga qeveria e shkarkuar e Kiril Petkov mund të çojë në heqjen e vetos për Shkupin, duke mundësuar që BE-ja të hapë negociatat e anëtarësimit edhe me Shqipërinë.
Projektrezolutat konfirmojnë mbështetjen për propozimin francez, por vetëm me këto kushte: të garantohet përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, njësoj si pakicat e tjera; të pasqyrohet qartë fakti se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë; BE-ja të garantojë që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter gjatë procesit të anëtarësimit.
Sakaq, situata në parlamentin e Bullgarisë nuk është e qetë, pasi grupime deputetësh shprehen totalisht kundër propozimit francez dhe miratimin e tij e konsiderojnë një tradhti. /A2