Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka thënë se partia e saj nuk e ka për qëllim ta rrëzojë Qeverinë Kurti.
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të ardhur në pushtet, i ka thyer shumicën e parimeve të tij, të kohës sa ishte në opozitë.
Bunjaku u shpreh se Kurti është duke u viktimizuar vazhdimisht, dhe sipas saj, ai u ka shpallur luftë qytetarëve të Kosovës.
“Kurti ka thënë se nuk ka për të ecur me truproje, nuk ka për të ecur me xhipa të zi, ai ka thënë se do të vendosë me qytetarët, ai u ka shpallur luftë qytetarëve. Ai mendon se gjithë qytetarët, opozita mendojnë kundër tij, kjo është për analizë. Ai duhet të mendojë me kokë të ftohtë, nuk janë të gjithë kundër tij. Ne jemi aty për ta përkrahur për projektligje që i shërbejnë qytetarët e Kosovës, LDK sot i ka votuar projektligjet e Albulena Haxhiut”, ka thënë ajo.
Bunjaku ka theksuar se LDK nuk e ka për qëllim rrëzimin e Qeverisë, për arsye se ajo është votuar me mbi 50% të votave të përgjithshme të qytetarëve.
“Ai po mendon se kemi tendencë se po mendojmë ta rrëzojmë prej qeverisë. Ne si LDK, nuk do të marrim iniciativë ta rrëzojmë prej qeverisë, sepse është votuar mbi 50%”, ka thënë ajo.
Bunjaku, foli edhe për pakënaqësitë e deputetëve të LVV-së, për të cilët tha se e kanë derën e hapur për aderim në LDK. Ajo tha se deputetët e pozitës, nuk guxojnë të votojnë ndryshe nga urdhrat e kryeministrit Kurti.
“Pakënaqësi në LVV jam e sigurt që ka, por nuk do të japë detaje më shumë. Po edhe shumë të tjerë deputetë që i takojnë LVV-së nuk e kanë vendin në LVV, sepse aty funksionojnë vetëm me urdhër të Albin Kurtit, deputetët nuk janë të lirë të vendosin për votën e tyre”, ka thënë ajo.
Ajo u shpreh se në listën e deputetëve të LVV-së, ka deputet të cilët nuk përshtaten fare me idetë e partisë./rtvdukagjini/