LDK si parti institucionaliste
Të nderuar qytetarë, anëtarë dhe aktivistë të përjetshëm të LDK-ës, jam shumë e bindur se shumë prej jush e ndani një pikëpamje të ngjashme me ne, lidhur me protestën e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe përkrahjen ndaj tyre, deri diku të hapur apo të ndokujt nga LDK-ja.
Ne si parti, kemi pasur një fizionomi, një filozofi, një identitet, një emër dhe një profil, duke u njohur nga të gjithë, si “parti institucionaliste”. Kjo do të thotë, se ne, si parti, besojmë se mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemeve, rrëzimit të Qeverisë, shpërbërjes së Kuvendit, formimit të Ekipit të Unitetit, kundërshtimit të Hashim Thaçit që tejkalon kompetencat në një shtet parlamentar, nuk është rruga, masat e gjera popullore, parullat e brohoritjet, por metoda institucionaliste.
Ne si LDK jemi lindur, rritur e pjekur, si parti që adreson probleme me rrugë institucionale dhe aq më shumë, nuk bëhemi ‘patericë’ e një partie më të vogël opozitare, e cila na ka gjuajtur me vezë ish-Kryeministrin tonë model – me zero tolerancë ndaj korrupsionit, apo ta ndihmojmë liderin e tjetres parti që ende nuk e nderon ish-presidentin e ndjerë dhe historik, Dr. Ibrahim Rugovën.
Nuk mund të mbesim gjithmonë falës të rivalëve që me ne sillen me aq ashpërsi, sikurse ishte gazi lotsjellës, vezët e prishura,sulmet dhe ndihma në rrëzimin e Qeverisë së LDK-ës dhe sjelljen e një Qeverie të PAN-it. Pra, ne jemi parti institucionaliste, e dialogut ndërpartiak, mirëkuptimit, urtësisë, demokracisë, unitetit, por jo edhe rrugës.
Prandaj, sonte e kam guximin si gjenerate e re e LDK-se, të them se ne duhet ta ruajmë fizionominë dhe filozofinë tonë rugoviste, si parti institucionaliste, e jo të shndërrohemi për një moment, në parti të rrugës, aq më shumë t’i ndihmojmë atyre që deri dje na gjuajtën me vezë, na thanë “as mish e as peshk” dhe na hedhën gazin deri sa na rrëzuan! Tek e fundit, ne nuk e ‘ndezim’ shtetin, por e braktisim për pak pushtetin dhe sërish sikur edhe sot, na rikthen populli me shumë përkrahje, sikur tregojnë sondazhet si partia e parë.