Shkruan: Valentina Bunjaku-Rexhepi
Gjilani në këto 20 vjet, ka pasur disa fatkeqësi natyrore dhe njerëzore. Si ngjarje shokuese, ka qenë tërmeti. Ende traumat e dridhjeve qëndrojnë mbi ne. Pas tërmetit, për nga fuqia traumatizuese, mbetet fatkeqësia e aksidentit me të vdekur e të lënduar. Sa herë po afrohem me veturë te rrethi i qendrës së qytetit, po më vjen njëfarë vaji, mërzie e dhembje.
Një lehtësim më pas, po vjen kur po e imagjinoj sa keq ka mundur të bëhet dhe një Zot e di sa viktimat e reja po ashtu do të mund të lindnin! Në anën tjetër, po më vjen një irritim me disa politikanë se si postojnë hiç pa ia ndarë fotografi kinse po dalin me të lënduarit.
Me përjashtim të kryetarit të Komunës së Gjilanit, që është në rregull si i pari i qytetit dhe që u jep me të drejtë forcë morale e shpirtërore të lënduarve, të tjerët vetëm po bëjnë “filma” me të lënduarit, për interesa personale politike. Në jetë, sa më përket mua, kurrë si politikane nuk shfrytëzoj tragjeditë për “filma” e populizëm falso.
Edhe njëherë, s’po më hiçet nga mendja, tragjedia në Gjilan dhe thellë e pikëlluar për të vdekurin dhe shumë të lënduar, por edhe mos pafsha “filma” nga disa politikanë shpirtngushtë, që po bëjnë publicitet personal me të lënduarit në spital! U shërofshin të lënduarit sa më shpejt dhe qoftë e shkuar kjo fatkeqësi! Ende s’po mund ta marr veten nga kjo fatkeqësi e qytetit tim që e dua me shpirt, zemër e mendje!