Gjilani duhet në vepër, jo në letër
Këshilltarët komunalë, përgjegjësi ndaj qytetarëve, jo partive dhe individëve
Këshilltarët komunalë në Gjilan kanë një mandat të qartë nga qytetarët: të punojnë për të mirën e përgjithshme dhe të sigurojnë zhvillim e progres. Ata e kanë dhënë betimin e tyre publikisht, ku zotohen se do të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe do të ushtrojnë detyrën me ndërgjegje e ndershmëri.
“Betohem se detyrën e këshilltarit komunal do ta kryej me nder, besnikëri, paanshmëri dhe në interes të qytetarëve dhe të komunës. Do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke punuar me përkushtim për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.”
Por, për më shumë se pesë muaj, Gjilani është peng i bllokadave politike që po ndalojnë zbatimin e projekteve jetike për qytetin dhe qytetarët. Kjo situatë ka emra dhe mbiemra – ata që po bllokojnë buxhetin dhe zhvillimin e komunës nuk mund të fshihen pas justifikimeve boshe. Vonesat në investime, mosrealizimi i projekteve infrastrukturore dhe mungesa e progresit janë barrë e rëndë që po e paguajnë qytetarët.
Kjo shihet qartë nga kërkesat për votimin e buxhetit, të cilat janë të lidhura me ndërprerjen e punimeve në rrugën e Malishevës dhe mosfutjen e projekteve zhvillimore që do ta ndryshonin qytetin, si Bulevardi i qytetit, qarkorja e re, parku industrial etj.
Kushdo që ka kontribuar në këtë mosvotim të buxhetit dhe bllokim të projekteve për Gjilanin duhet të mbajë përgjegjësi para qytetarëve.
Pse pas gjashtë muajsh bllokade e pengese po vuan Gjilani dhe qytetarët e tij?
Pse vetëm pas rezultateve të zgjedhjeve filluan ta “duan” dhe të paraqiten “shpëtimtarët” e Gjilanit dhe të angazhohen për të mirën e tij?
Ne qytetarët jemi të njëjtit si ata të vitit 2024 kur u votua buxheti dhe tani në 2025. Këto veprime tregojnë se ata kishin pritur diçka tjetër nga zgjedhjet, që më pas të vepronin ndryshe. Por qytetari asnjëherë nuk gabon dhe gjithmonë reflekton realitetin me të cilin ata do të përballen.
Për këtë arsye, secili nga ne ka votuar për një këshilltat komunal në kuvendin e Gjilanit, ku secili këshilltar komunal, pa marrë parasysh partinë, duhet të vendosë interesin e qytetarëve mbi atë të partisë dhe individëve. Duhet të respektojnë betimin e dhënë në ditën e parë si këshilltarë.
Mos lejoni askënd t’ju marrë mandatin, të flasë e të vendosë për ju. Jeni shumë jeni 35, ju jeni zgjedhur nga qytetarët për t’i përfaqësuar ata, për të sjellë ide, për të ngritur kërkesa dhe për të mbrojtur zhvillimin e qytetit.
Është koha për veprime konkrete dhe për një të ardhme më të mirë për Gjilanin!
Gjilani ka nevojë për punë dhe përkushtim, jo për premtime boshe. Nuk ka nevojë për shpëtimtarë, por për këshilltarë të përgjegjshëm që e vendosin interesin e qytetarëve mbi çdo llogari politike.
Gjilan❤️Kosovës!