Qeveria e Kosovës në këtë rast Ministria e Financave është në fazën finale të përgatitjes së projektbuxhetit për vitin 2021.
Buxheti për vitin 2021 pritet të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më i ulët në krahasim me këtë të vitit aktual për shkak të pandemisë COVID-19.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi në një intervistë për KosovaPress deklaroi se janë në fazën finale të përgatitjes së buxhetit për vitin 2021, pasi që janë të obliguar deri në fund të këtij muaji të dorëzojnë projektbuxhetin në Kuvend për miratim.
Krasniqi ka thënë sesi rezultat i mosmiratimit të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk përjashtohet mundësia që të ulen pagat në sektorin publik si dhe të zvogëlohen shpenzimet në investime.
“Për vitin 2021, duke pasur parasysh burimet e brendshme e të jashtme, tek shpenzimet jemi ende në fazën e fundit të diskutimeve, por buxheti do të jetë diku rreth 2.4 miliardë euro, do të thotë bien në krahasim me këtë vit (2020) që është 2 miliardë e 600 milionë. Po ashtu bie edhe kjo pjesa që kemi obligim për rritjen e borxhit dhe deficitit prej 6.5 ku ne duhet të kthehemi brenda tri viteve tek 2 përqindëshi…. Do të jetë më i vogël buxheti edhe për shkak të pandemisë, por realisht nëse krahasojmë buxhetin 2020 me 2021 të hyrat do të rriten, do të rikthehemi te rritja ekonomike, por jo në atë shkallë për të mbërritur kufirin e vitit 2020, për arsye se ne kemi shfrytëzuar bilancin bankar, rregullin fiskal për rritje të decitit buxhetor. Pra, këto janë instrumentet që e diktojnë edhe madhësinë e shpenzimeve të buxhetit”, thotë Krasniqi.
Zëvendësministri Krasniqi po ashtu ka kërkuar nga Kuvendi që ta miratojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, dhe në momentin që miratohet në lexim të parë pastaj ekziston mundësia që të bëhen ndryshime para se të dërgohet për votim në lexim të dytë.