Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje në lagjen “Tregu i Gjelbër” në Gjilan u karakterizua nga një pjesëmarrje tejet e ulët e banorëve, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi qëllimin dhe efektivitetin e këtij procesi. Pjesëmarrja simbolike ka lënë përshtypjen se aktiviteti ishte më shumë një formalitet për të përmbushur axhendat institucionale apo politike, sesa një përpjekje e sinqertë për të përfshirë qytetarët në vendimmarrje.
Mungesa e njoftimeve të duhura dhe komunikimi i pamjaftueshëm nga ana e qeverisjes komunale janë përmendur si ndër arsyet kryesore për këtë neglizhencë qytetare. Banorët nuk janë informuar në mënyrë efektive për mundësinë që të kontribuojnë me ide dhe propozime për projektet që prekin drejtpërdrejt lagjen e tyre.
Kjo situatë reflekton jo vetëm nivelin e ulët të përfshirjes qytetare, por edhe një shkallë të lartë zhgënjimi ndaj institucioneve lokale. Ajo nxjerr në pah nevojën urgjente për një qasje më të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse nga ana e qeverisjes komunale, një qasje që nuk ndalet vetëm në organizimin formal të takimeve, por garanton angazhim të vërtetë të komunitetit në proceset vendimmarrëse.