Eugen Cakolli nga KDI ka deklaruar se kryesuesi i seancës konstituive për Kuvendin e Kosovës, Avni Dehari sot ka mbyllur seancën në mënyrë arbitrare që sipas tij, përbën shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Sot, për të dytën herë pas aktgjykimit, kryesuesi Avni Dehari sërish e mbylli seancën në mënyrë arbitrare. Kjo është jo vetëm shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe cenim i të drejtës kushtetuese të deputetëve për të votuar”, ka shkruar ai në Facebook.
Cakolli tha se Dehari ka qasje bllokuese, ku sipas tij po refuzon ta drejtojë seancën.
“Refuzimi për të kaluar në votim të fshehtë – ndonëse mocionet procedurale nuk lejohen fare – nuk mund të interpretohet njëanshëm si dështim i seancës. Përkundrazi, në mungesë të ndryshimit të procedurës, seanca duhet të vazhdojë me votim të hapur, siç është standardi. Me një qasje të tillë bllokuese, tashmë Kryesuesi, efektivisht po refuzon ta drejtojë séance”, tha ai.