Eugen Cakolli nga KDI ka kritikuar vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjen e 100 eurove për studentë, duke e cilësuar këtë vendim si shkelje të Ligjit për Qeverinë dhe përdorim të burimeve publike për përfitime elektorale.
Sipas Cakollit ndarja e këtyre mjeteve, ashtu si edhe masat tjera financiare të marra së fundmi, “nuk janë aktivitete të domosdoshme e as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës”.
“Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë. Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral”, tha Cakolli.
Tutje ai ka shtuar se përtej aspektit ligjor, ky vendim përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.
“Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.
Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos tek grupet e ndjeshme si studentët”, tha Cakolli ndër të tjera.
Ndëkraq, Qeveria në detyrë të martën ka marrë vendim që të gjithë studentëve të ju dhuroj nga 100 euro, vendim ky i marrë vetëm 5 ditë para zgjedhjeve lokale, dhe në kohën kur gjykata kushtetuese kishte vendosur që të gjitha vendimet e qeverisë në detyrë janë antiligjore për shkak se akoma nuk është formuar Qeveria e re.