Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) theksoi sot se rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit.
Cakolli në një postim në Facebook thekson se sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota, ndërkaq sipas partive më shumti ndryshime ka lista e PDK-së, LVV-së, LDK dhe pastaj e AAK-së.
“Sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota. Sipas partive, më së shumti ndryshime ka lista e PDK-së me ~7,719 vota dallim; pasuar nga LVV me ~2,947 vota dallim; LDK – me ~1,676 vota dallim; si dhe AAK me ~639 vota dallim. Në total, pas rinumërimit dhe korrigjimeve në QNR, rreth ~9,500 vota janë hequr dhe rreth ~3,500 janë shtuar për kandidatët. Vetëm te katër partitë kryesore, mbi 200 kandidatë kanë pësuar rritje dhe rreth 200 të tjerë rënie të votave. LVV ka 61 kandidatë me ulje dhe 46 me rritje. PDK ka 79 me rritje dhe 27 me ulje. LDK ka 59 me rritje dhe 46 me ulje. Ndërsa, AAK ka 60 me ulje dhe 37 me rritje”, ka shkruar ai.










