Hulumetuesi në KDI, Eugen Cakolli, përmes një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur se arsyeja kryesore e shtimit të rasteve me Koronavirus në muajin maj ishte festa e Fiter Bajramit.
Ai ka sygjeruar se me rishikimin e masave të qeverisë këtë fundjavë duhet të shqyrtohet mundësia e kufizimit te plotë të lëvizjes së qytetarëve duke filluar nga e premtja e ardhshme deri në fund të javës, kohë edhe kur është festa e Kurban Bajramit.
“Kjo do të mund të kishte efekte pozitive edhe në futjen sado pak nën kontroll të situatës epidemiologjike” shkruan Cakolli.
Postimi i plotë:
Përveç hapjes së plotë të ekonomisë dhe keqmenaxhimit të Qeverisë, faktor shumë domethënës që ka çuar në rritjen e pakontrolluar të rasteve me koronavirus, ka qenë pa dyshim festa e Fitër Bajramit.
Përkundër thirrjeve të institucioneve, përfshirë edhe atyre fetare, një numër shumë i madh i qytetarëve kishte vazhduar traditën e zakonshme të vizitave familjare.
Prandaj institucionet, gjatë rishikimit të masave këtë fundjavë, duhet të shqyrtojnë kufizimin e plotë të lëvizjes së qytetarëve duke filluar nga e premtja e ardhshme deri në fund të javës. Kjo do të mund të kishte efekte pozitive edhe në futjen sado pak nën kontroll të situatës epidemiologjike.
Thjesht, situata aktuale nuk na e lejon luksin e përsëritjes së gabimin e njëjtë.
Tanimë kur virusi ka shtrirje shumë të gjerë në shoqëri, e kontaktet nuk testohen, ndërsa rastet asimptomatike nuk merren fare parasysh, vendi rrezikon përhapje eksponenciale të virusit.