Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten bëri certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 17 tetor.
Në këtë certifikim nuk janë përfshirë rezultatet përfundimtare për komunën e Podujevës, Shtimes, Ferizajt dhe Kllokotit, njofton Klankosova.tv.
“Në vendimin e KQZ-së, i datës 29 tetor, nuk janë përfshirë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të 4 komunave: Podujevë, Shtime, Ferizaj dhe Kllokot”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi për Klankosova.tv bëri të ditur se KQZ-ja është në pritje të vendimit nga ana e PZAP-it lidhur ankesat për rezultatet përfundimtare në këto komuna.
“Sipas njoftimeve nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në këtë institucion janë paraqitur ankesa për rezultatin përfundimtar në këto komuna. KQZ-ja është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të këtyre ankesave”, tha Elezi.