Kryeministri në detyrë, Albin Kurtika thënë se ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri.
Katër muaj para se t’i skadojë mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti është më i matur nëse e përkrahin Osmanin edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar.
Sipas tij, një test dhe indikacion se si mund të ecet përpara edhe në çështjen e presidentit është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojitet mbështetje edhe e deputetëve të opozitës.
Kurti për KosovaPress, tha se fillimisht duhet konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë, miratimi i buxhetit dhe pastaj të mendohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, tha ai.
Kurti, i cili është edhe lider i LVV-së, parti e cila sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e konsideron të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër në krye të vendit.

