Ushtruesi i detyrës së kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë se Qeveria ka tri mundësi lidhur me trajtimin e çështjes së veteranëve.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Klinaku ka renditur tri mundësitë që sipas tij do t’i ofronin zgjidhjes çështjes së veteranëve të cilët tash e një kohë po shprehin pakënaqësitë e tyre për shkak të mos përfshirjes në ligjin e pagës minimale.
Ky është statusi i plotë i Klinakut:
Qeveria e Kosovës i ka këto mundësi:
1. Të rritet paga minimale e veteranëve t’iu bëhen pagesat me ligjin që është në fuqi e që lidhet me pagën minimale në Kosovë, me anë të të cilit me vite të tëra janë diskriminuar me mijëra veteranë që punojnë duke mos përfituar asnjë cent, e ta luftojë sa më shumë ekonominë informale;
2. Ta bëjë kategorizimin, (nëse mund t’i merr dosjet nga prokuroria për shkak se lënda është në gjykatë), ku pasi do të përfundonte ai kategorizim do të futej ligji tjetër në fuqi, me anë të të cilit përveç veteranëve të papunë që do ta merrnin beneficionin e plotë sipas kategorizimit, parashihet që të paguhen 50% të beneficionit edhe ata që punojnë;
3. Të iniciojë (së bashku me ne) ligj të ri, që i heq kufizimet e të kenë të drejtën të gjithë veteranët që të punojnë dhe përfitojnë, dhe me këtë luftohet komplet ekonomia informale.