Gripi, i ashtuquajtur, i derrave (Swine Flu), është një sëmundje akute e rrugëve të frymëmarrjes, i shkaktuar nga viruse gripale të tipit A, që origjinën e kanë nga derrat.
Pandemia e Gripit A H1N1, i ashtuquajtur si gripi i derrave, është një sëmundje që në mënyrë mjaft të rrufeshme dhe shumë të shpejtë u bë problematika numër një në mbarë shëndetësinë botërore që në një mënyrë na intrigoi të gjithëve me pyetjet se çfarë në të vërtet është e tërë kjo situate? A është rreziku potencial për pandemi?
Edhe pse kemi të dhëna të mjaftueshme për këtë virus, me gjithë gjakftohtësinë e ekspertëve për të mos përhapur panik, deklaratat e OBSH-së për shkallën e alarmimit dhe poashtu mediat, kanë krijuar një konfuzion në lidhje me tërë këtë gjendje. Por duke parë situatën se si është zhvilluar në vendet e tjera, si dhe nga shkalla e mortalitetit, mund të themi se gjendja është nën kontroll, edhepse rreziku është aktual pasi që askush nuk është i paprekshëm nga ky virus, qoftë i vaksinuar apo jo.
Gripi, i ashtuquajtur, i derrit (Swine Flu), është një sëmundje që atakon sistemin respirator dhe e shkakton virusi i tipit A (H1N1) që origjinën e ka nga derrat. Ky virus bën pjesë në klasën e ARN viruseve dhe i takon familjes së Orthomyxoviridae, që ka një madhësi ose diametër prej 80-200 nm.
Janë tre tipe ose lloje të këtyre viruseve që shkaktojnë gripin: A, B dhe C, ku zakonisht më i zakonshmi që është shkaktari më i shpeshtë i gripit ose influencës është tipi A, kjo është si pasoj e aftësisë unike që ka ky virus për të qëndruar jashtë radarit të imunitetit tek njerëzit nga ndërrimet e vazhdueshme apo kontinuale të strukturës së proteinave antigjenike (mutacioneve).
Në vet llojin e virusit A ekzistojnë edhe subkategoritë e tipit A, ku ato dallohen në bazë të llojeve të antigjeneve në sipërfaqen membranore që janë: H – haemagglutinina dhe N – neuraminidaza.
Disa subkategori të virusit të tipit A janë: virus A(H1N1), virusi A(H3N2), Avian flu virus A (H5N1), Canin flu virus A(H3N8), Equine flu virus A(H7N7) ku këta dy të fundit manifestohen vetëm tek nikoqirët përkatës.
Si shfaqet?
Gripi i derrit është sëmundje që prek sistemin respirator të derrave shkaktuar nga virusi A(H1N1) që zakonisht i atakon derrat.
Edhepse thuhet në literaturë se infeksioni me virusin e gripit të derrit nuk ndodh, megjithatë infeksioni me këtë virus është i mundur dhe shpërhapja e këtij virusi pastaj nga njeriu i prekur me virus në njerëzit e tjerë është fakt që po dokumentohet dhe po ndodh realisht. Kësaj i ndihmon siç e dimë nga njohuritë paraprake se, virusi i gripit e ndërron formën ose strukturën antigjenike, kështu që, praktikisht jemi të pambrojtur sikurse që jemi edhe për gripin e zakonshëm sezonal (si pasojë e kësaj edhe vaksinimi nuk na krijon një mbrojtje të sigurt).
Shfaqja e gripit të derrit është menduar se bëhet (shpërhapet) në të njëjtën mënyrë sikurse edhe gripi sezonal me rrugë aerogjene (aerosole) nga kollitja dhe teshtitja e personave të sëmurë me virusin e gripit përmes ajrit. Te ky grip infeksioni mund të ndodh edhe me prekjen e objekteve të infektuara më këtë virus.
Simptomat te gripi i derrit janë pothuajse të njëjta ose shumë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm (sezonal). Sëmundja fillon një apo dy ditë që nga infeksioni me këtë virus d.m.th koha e inkubacionit është zakonisht dy ditë, por mund të shkojnë edhe deri në pesë ditë; simptomat mund të shfaqen përnjëherë dhe me tërë ekspresivitetin e tyre apo varësisht nga rastet te personat me një imunitet të ruajtur mund të jenë ose shfaqen me intensitet më të lehtë.
Simptomat e gripit të derrit janë:
* Temperatura, e cila pothuajse është çdo herë prezente me vlera mbi 39.4°C në 12 orët e para
* Ftohje (acarim)
* Dhimbje të kokës
* Dhimbje të muskujve
* Humbje të apetitit
* Molisje (lodhje ekstreme)
* Skuqje dhe djegie e syve
* Zënie dhe shkuarje hundësh
* Kollë e thatë
* Dhembje gryke (fyti)
* Te disa raste po lajmërohen edhe marramendja, vjellje dhe diarreja.
Simptomat akute të gripit janë shqetësuese për të sëmurin e atakuar nga virusi edhe në rastin më të lehtë, gjë që shpesh i shtyn të prekurit nga gripi që të lajmërohen te mjeku. Zakonisht të sëmurët përjetojnë një acarim të përnjëhershëm të sëmundjes me temperature të lartë (gjendje febrile, molisje, plogështi, kolla paroksizmike (konvulzive), dhimbje koke dhe dhembje të muskujve apo të tërë trupit që fillojnë 12-72 orët e para.
Për shkak se virusi i gripit prek (infekton) mukozat ose epitelin respirator të hundës dhe sinusëve paranazal dhe tërë rrugët e frymëmarrjes deri në alveola do të na shfaqen simptomat dhe shenjat e rinitit, faringitit, laringitit, tracheobronkiti ose edhe pneumonia virale. Pacientët janë të lodhur, të molisur, me sy të përndezur dhe të njomë, me rrjedhje të kthjellët nga hunda, mund të ketë edhe dhimbje në vesh, dhimbje të grykës, humbje të zërit (shterim), dhimbje gjatë kollitjes së sforcuar.
Dhembja e muskujve mund të jetë e gjeneralizuar dhe e ashpër që përshkruhet si “më janë këputur këmbët … apo i tërë trupi”, dhimbja e kokës mund të jetë poashtu shumë e fortë dhe e shoqëruar me lëvizje retrobulbare të syve e shoqëruar me fotofobi, dhe në disa raste kemi edhe prezencën e marramendjes, të vjella dhe diarre.
Me ekzaminim fizik vërejmë se kemi temperaturë të lartë që kalon edhe mbi 39°C gjatë ditës së parë ,veçanërisht te fëmijët. Fytyra zakonisht është e skuqur e përndezur (hiperemeke) me lëkurë të nxehtë dhe e njomë (e lagësht). Konjunktivat, membrana timpanike dhe flegrat e hundës po ashtu janë të inflamuara. Tek fëmijët mund të kemi prezent edhe Lymphadenitis.
Në rastet kur kemi vështirësi në frymëmarrje, poashtu gulçitje dhe kërcitje gjatë frymëmarrjes, tachikardi, tachipne dhe hypoxemi, na bën të kuptojmë se kemi komplikime me infeksione sekondare (komplikacione) që janë shkaqet e përfundimit me vdekje të këtyre rasteve.
Diagnostikimi
Hapi i parë në diagnostikimin e sëmundjes është anamneza, ku nga të dhënat që ne i marrim, na dërgojnë deri te një diagnostikim i shpejtë, kjo bëhet me qëllim që të përfitojmë në kohë. Mirëpo, duhet të jemi të vëmendshëm sepse simptomat e lartpërmendura janë të ngjashme edhe me sëmundjet, si, pneumonia, kështu që përveç anamnezës dhe ekzaminimit fizik bëhen:
* Teste virusologjike (strishoja nazofaringeale)
* grafia e mushkërive
* testet laboratorike
Deri te diagnoza virologjike arrihet me: mbjelljen e kulturave virale, detektimin e antigjeneve, detektimine ARN me anë të PCR (Real Time PCR) dhe analizave serologjike
Testet e shpejta për diagnostikimin e gripit të derrit janë:
* Imunofluoreshenca me ç’ngjyroje të antitrupave DFA
* Metoda e RETCIFtm testit që na mundëson detektimin e virusit A H1N1 apo ndonjë tjetër virus në kohë që nuk kalon më shumë se tri orë. Testi është i thjeshtë, si material përdoret strishoja nga pacienti. Ekspertët që zbuluan këtë metodë thonë që testi është pothuajse 100 % i sigurt në kapjen, detektimin e viruseve të gjallë, në këtë rast virusit A H1N1.
Në rastet kur dyshojmë apo kemi komplikime, bëhen edhe analizat, si analizat biokimike, hemogrami dhe radiografia e mushkërive. /Telegrafi/