Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se në Tiranë janë gjobitur 3 subjekte me aktivitet “Supermarket”, nga ku u konstatua: importim i produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin, ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.
Gjithashtu në këto biznese ka pasur mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit, tregtim i produkteve me afat përdorimi të kaluar, si dhe etiketim i produkteve jokonform ligjit.
Në Durrës u ushtrua kontroll në dy ngarkesa me produkte importi, të dyja me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë , nga ku rezultoi: 27 ton “Fileto pule” me ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella app) dhe 19.2 ton “Kafe kokërr e papjekur” me mangësi në dokumentacionin shoqërues (certifikatë veterinare e palëshuar nga autoriteti zyrtar i vendit të origjinës).
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative si në vijim: 9 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 5.25 milion lekë për 3 subjektet,
“Tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu” me destinacion asgjësimin për sasinë prej 480 kg oriz të importuar në kundërshtim me ligjin, si dhe “Kthimi në vendin e origjinës” për 46.2 ton produkte importi të vlerësuar si të pasigurta për konsum human.