Donbasi, gjuha ruse në Ukrainë dhe siguria e Kishës Ortodokse Ruse. Çfarë më shumë kërkon Vladimir Putini?
Burime të cituara nga Axios, Bloomberg dhe The New York Times kanë zbuluar kërkesat që presidenti rus, Vladimir Putin, i ka paraqitur presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë takimit të tyre në Alaskë.
Sipas raportimeve, Putini ka refuzuar idenë e një armëpushimi të përkohshëm dhe ka këmbëngulur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.
Kërkesat kryesore të Kremlinit, sipas të njëjtave burime, përfshijnë:
‘Tërheqjen e plotë të Ukrainës nga rajoni i Donetskut dhe kalimin e kontrollit të gjithë Donbasit te Rusia.
-Ruajtjen e territoreve të pushtuara në Zaporizhia dhe Kherson nën kontrollin rus.
-Një premtim nga Moska se nuk do të synojë pushtime të reja territoriale.
-Shpalljen e gjuhës ruse si gjuhë zyrtare në Ukrainë.
-Garanci për sigurinë e Kishave Ortodokse ruse në Ukrainë.
Kërkesat e bëra publike përbëjnë një paketë të gjerë që shkon përtej çështjeve ushtarake dhe territoriale, duke përfshirë edhe elementë të identitetit kombëtar dhe kulturor të Ukrainës.
Një listë kërkesash maksimaliste, që nuk kufizohet vetëm te kufijtë, por synon të prekë sovranitetin, identitetin dhe kulturën e Ukrainës.
Sipas burimeve të njëjta, presidenti Trump planifikon t’i diskutojë këto propozime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në një takim që pritet të zhvillohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Në këtë takim pritet të ftohen edhe liderë evropianë, por nuk kuptohet nëse ata do të jenë pjesë fizikisht, apo virtualisht.
Kjo, edhe për faktin se nga Komisioni Evropian, u dol me një deklaratë të përbashkët, ku tregohej mbështetja për Trump dhe bisedimet.
Njëjtë bëri edhe Zelensky, duke thënë se paqja i duhet vendit tanimë.
Mbetet për t’u parë se si takimi i së hënës do të frymojë.