Çështja e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës është shndërruar në një temë që e ka përplasur së fundi opozitën me partinë në pushtet. Përderisa opozitarët thonë se FSK-ja ka mbetur pa bukë, Ministria e Mbrojtjes argumenton se u përmbahet standardeve të NATO-s sa i përket ushqimit të ushtarëve. Për të shmangur pasiguritë në të ardhmen, për shkak të problemeve që mund të shfaqen me kompanitë furnizuese, Qeveria tani dëshiron që FSK-ja të ketë vetëqëndrueshmëri sa i përket ushqimit.
Fotografitë e shujtave të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të publikuara në media lokale e në rrjete sociale, nxitën debat në sferën publike dhe politike kosovare për “menynë e varfër” të ushtarëve.
Opozita akuzoi pushtetin se e ka lënë pa bukë FSK-në, partia qeverisëse – Lëvizja Vetëvendosje – e cilësoi çështjen si propagandë, teksa presidentja e Kosovës kërkoi raport për situatën e krijuar me ushqimin e ushtarëve.
Ministria e Mbrojtjes ngulmoi se ushtarët nuk kanë mbetur pa shujta asnjë ditë të vetme, ndonëse pranoi se përballet me problem të kamotshëm për furnizimin e FSK-së me ushqim.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se që nga viti 2015 e deri këtë vit, institucioni që udhëheq, ka lidhur dhjetë herë radhazi kontrata emergjente për çështjen e ushqimit, të cilat kanë qenë disamujore dhe janë parë si të dyshimta nga opozita.
Kontrata e fundit me furnizues ka skaduar më 30 shtator dhe një tender i ri është anuluar nga Ministria e Mbrojtjes më 11 tetor, për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të kompanive të shpallura fituese, sipas zëvendësministrit të Mbrojtjes, Shemsi Syla.
Vetëqëndrueshmëria ushqimore
Ai tha për Radion Evropa e Lirë se është vendosur që tani “të kalohet në vetëqëndrueshmëri ushqimore”.
Pse?
Sipas tij, “vazhdimisht ka pasur ankesa, si dhe pakënaqësi, qoftë për shkak të procedurave të zgjatura tenderuese apo çështjeve tjera që kanë vënë në pikëpyetje furnizimin me ushqim”.
Syla pohoi se Ministria tani ka hapur konkurs “për të rekrutuar staf profesional për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit”.
Në konkurs thuhet se Ministria po kërkon 25 kuzhinierë, 23 ndihmëskuzhinierë dhe 42 shpërndarës të ushqimit për ushtarët, për ç’gjë aktualisht po kujdesen kuzhinierët e Qendrës së Studentëve dhe të Shërbimit Korrektues.
Ministri Maqedonci deklaroi se koncepti i vetëqëndrueshmërisë nënkupton kursim të parave dhe siguri në aspektin e furnizimit me ushqim të njësive ushtarake, por edhe pavarësim nga operatorët.
Por, opozita argumentoi se ngritja e kapaciteteve për vetëqëndrueshmëri, sa i përket furnizimit me ushqim, mund ta rrezikojë FSK-në.
Disa deputetë, madje, alarmuan se situata aktuale me ushqim është e rëndë dhe se ushtarët rrezikojnë të helmohen.
Standardet e NATO-s
Zëvendësministri Syla shpjegoi për REL-in se FSK-ja u përmbahet standardeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) sa i përket ushqimit për ushtarët, duke u kujdesur për vlerat ushqyese dhe kalorike që duhet të marrin ata përmes ushqimit.
Dhe, sipas tij, këto vlera variojnë në bazë të gjendjes aktive të ushtarëve gjatë fazës së trajnimeve, operacioneve, ushtrimeve apo aktiviteteve ditore administrative.
Megjithatë, ai pranoi se po punohet që të plotësohet mungesa e disa artikujve, përkatësisht pemëve dhe perimeve.
Shteti fqinj, Mali i Zi, që është pjesë e NATO-s, kujdeset për vlerat ushqyese, sipas standardeve specifike të aleancës, duke u ofruar ushtarakëve të vet tri lloje të shujtave: të lëngshme, të thata dhe të përziera.
Në grupin e parë përfshihen ushqime të ndryshme, si: perime, mish, ushqime të konservuara, vezë të freskëta e të tjera.
Ndërkaq, ushqimet e thata janë ato që kryesisht janë të përgatitura paraprakisht dhe ushtarët i marrin me vete në terren. /REL