Në orët e pasdites, rreth orës 17:00, qyteti i Gjilanit mirëpriti me duartrokitje dhe entuziazëm grupin e ciklistëve që përmbyllën me sukses një tour prej 1200 kilometrash, një sfidë e jashtëzakonshme fizike dhe shpirtërore, e kthyer në burim frymëzimi për të gjithë komunitetin.
Pritja për ciklistët ishte organizuar nga kryetari i klubit “Urban Bike 06”, z. Ardian Demiri, i cili vlerësoi lart rëndësinë e aktiviteteve të tilla për promovimin e sportit, jetesës së shëndetshme dhe bashkimit qytetar.
Touri, që përshkoi vende dhe terrene të ndryshme, u shoqërua me përkushtim, durim dhe pasion nga pjesëmarrësit, të cilët këtë arritje e cilësuan si një nder dhe krenari për qytetin e tyre.
Në shenjë vlerësimi për angazhimin dhe sfidën e përballuar, pjesëmarrësve iu ndanë mirënjohje simbolike. Mikpritjen e ngrohtë e përmbylli “Kimi Cake Caffe” me një tortë festive, duke krijuar një atmosferë të këndshme dhe të veçantë për të gjithë të pranishmit.
Ky aktivitet shënoi jo vetëm një sukses sportiv, por edhe një dëshmi të gjallë të frymës së bashkëpunimit, guximit dhe identitetit qytetar që e karakterizon Gjilanin./Radio Star/