Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, gjatë një konferencë të zhvilluar gjatë ditës së sotme për gazetarë, është deklaruar edhe për procesin zgjedhor në vend të mbajtur të dielën.
E pyetur për qëndrimet e kësaj partie për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e një qeverie të re, Çitaku ka hedhur poshtë këtë ide, duke theksuar se tashmë ata e kanë bërë të qartë se preferojnë një koalicion me partitë opozitare.
‘‘Kandidati ynë për kryeministër e ka bërë shumë të qartë që ne preferojmë një koalicion me partitë që sot janë në opozitë dhe përjashtojmë një koalicion të mundshëm me LVV-në, por ju e dini që hapat ligjor janë të qartë, fillimisht duhet të përfundojë procesi i numërimit të votave duhet të bëhet legjitimimi i deputetëve të rinj, e më pas fillojnë bisedimet me partnerët eventual të koalicionit që do të udhëhiqet nga Bedri Hamza. PDK e ka bërë të qartë përmes kandidatit të saj për kryeministër, që shumica shqiptare ka votuar për ndryshim, shumica ka votuar për një qeveri tjetër. Dhe natyrshëm pas përfundimit të procesit zgjedhor ne përmes kanaleve publike dhe zyrtare do të komunikojmë me partitë tjera që sot janë në opozitë’’, ka thënë Çitaku.