Arben Gashi nga LDK-ja ka folur edhe për krijimin e mundshëm të një Zyre Shtetërore të Hetimit, pikë kjo që është ende duke i diskutuar mes tyre dhe Vetëvendosjes.
Ai duke treguar funksionin e saj ka thënë se ideja për t’u krijuar ajo fillimisht është bërë për të eliminuar Task Forcat e shumta ekzistuese, njofton Klan Kosova.
“Sa i përket krijimit të Zyrës Shtetërore të Hetimit ideja është që një numër i madh i Task Forcave ekzistuese janë struktura që nuk koordinohen mes vete dhe ka ndodhur në vazhdimësi që rastet që hetohen humbin në proces apo sistem dhe humb në afatin ligjor apo në kualitetin e hetimit”.
“Për të mos u përsëritur ky problem dhe për të eliminuar ekzistencën e një morie të Task Forcave është menduar që në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor dhe Policinë e Kosovës të ndërtohet një zyrë e veçantë. Pra Zyra Shtetërore e Hetimit duhet që të ketë të paktën katër departamente kryesore”.
Gashi tregoi edhe katër fushat kryesore me të cilat do të merret ky institucion i ri nëse krijohet në qeverinë e re.
“Departamenti i parë do të jetë hetimi i krimit të organizuar, departamenti i dytë do të jetë luftimi i korrupsionit, departamenti i tretë janë vrasjet politike dhe departamenti i katërt do të jetë hetimi i krimeve të vjetruara”.
“Këto do të jenë katër fushat kryesore ku do të fokusohet ky departament dhe do të jetë nën menaxhimin e Prokurorisë. Pra do të angazhohen prokurorët më të mirë në këtë vend dhe nuk do të ketë më mundësi që të fillojë hetimin një hetues policor dhe të merr leje te prokurori dhe ai të merr leje në gjykatë dhe të bëhet një cikël që komplikohet dhe humb në sistem”.
“Me këtë do të kemi një sistem më të thjeshtuar dhe që siguron më shumë efikasitet. Sa i përket paralelizmit mendoj që nuk duhet të ketë frikë dhe sa i përket asaj se a mund të ketë ndërhyrje politike, krejt ideja është që kjo Zyre Shtetërore e Hetimit të jetë e pavarur nga politika që të mos ndodhë sikur ka ndodhur deri tash”.
Gashi në Analiza Zgjedhore tha se e mira e kësaj zyre është funksioni i saj depolitizues.
“Kjo do të krijohet përmes një ligji të veçantë dhe do të formohet në harmoni me Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor. Ne kemi diskutuar dhe konkluzioni i përbashkët është që kjo zyre të arrijë të krijojë depolitizim”.
“Kjo shkon te institucionet e pavarura dhe krijon mundësi që brenda sistemit të angazhohen njerëzit më të mirë përmes njerëzve ligjorë dhe të hiqet frika për eliminim. Nuk do të lejojmë që sistemi të ndërtohet në atë formë që të përdoret për politika ditore”.