Në sallën sportive “Bashkim Selishta-Petriti” të Gjilanit, po zhvillohet me sukses turneu i dytë ndërkombëtar “Ditët e Agimit”, ku janë të pranishëm 450 garues.
Në këtë event të rëndësishëm për sportin e karatesë, një prej klubeve më të njohura në Francë, Dojo du Vercors, ka bërë prezencën e saj të ndjeshme duke dërguar 6 karateistë për të përfaqësuar talentin dhe pasionin e tyre.
Trajneri i klubit të Karates, Dojo du Vercors, Rémi Barbarin, është shprehur me entuziazëm për këtë turne dhe për organizimin e tij të mrekullueshëm.
“Për këtë turne jam njoftuar nga një shok i imi nga Gjilani. Kemi marrë të gjitha informacionet për heroin Agim Ramadani, dhe jam i mahnitur me organizimin dhe me mikëpritjen që na është bërë. Do të bashkpunojmë edhe në të ardhmen, pasi niveli garues në këtë turne është i njëjtë si në Francë.”
Trajneri dhe njëherit drejtori sportivë i këtij klubi, Barbarin gjithashtu ka shprehur admirimin e tij për veprën e heroit Agim Ramadani, duke e vlerësuar si udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
“Heroi Agim Ramadani me gjakun e tij të derdhur ka përçuar mesazhin e mbrojtjes së atdheut. Ai duhet të jetë udhërrëfyes edhe në ditët e sotme të lirisë dhe pavarësisë.”
Turneu “Ditët e Agimit” në Gjilan vazhdon të sjellë emocione dhe rivalitet të shkëlqyeshëm në fushën e sportit të karatesë, duke nxitur talentet dhe frymëzuar gjeneratat e reja për të ndjekur ëndrrat e tyre sportive.