Tre krerët e shtetit, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, e ministrja e Jashtme, gjate javës kanë pas deklarime të ndryshme për draftin e asociacionit të publikuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të martën se në draft-statutin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe të prezantuar nga Bashkimi Evropian, ka çështje të cilat krijojnë dykuptimësi, shkruan Reporteri.net.
Në një prononcim për media, ajo tha se janë dy-tri gjëra që krijojnë dykuptimësi dhe se ato duhet sqaruar.
“Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese. Mirëpo në qoftë se jo unë jam e bindur që Gjykata do i sqarojë ato duke u bazuar edhe në interpretimet e vet gjykatës që i ka dhënë në vitin 2015, shumë prej të cilave janë si parime udhërrëfyese tani për çfarëdo asociacioni”, deklaroi Osmani.
Tutje, e para e shtetit nuk dha detaje sa i përket komenteve të saj, por shtoi se është e padrejtë që i njëjti nuk është ndarë edhe me partitë opozitare.
“Meqenëse është kërkesë e vet emisarëve ndërkombëtarë që mos t’i bëjmë publike komentet, pa i bërë ata vet publike draftin që e kanë prezantuar, do ta respektoj këtë kërkesë. Edhe pse mendoj që nga fillimi ka qenë e padrejtë dhe tërësisht e pa arsyeshme që ky draft mos të ndahet edhe me liderët e opozitës. Ata përfaqësojnë si parti politike qytetarë të Republikës së Kosovës, kështu që si presidente kam insistuar nga dita e parë që ky draft të ndahet edhe me ta dhe shpresoj shumë që së shpejti ata që janë autorë të këtij dokumenti do ta japin edhe miratimin për një gjë të tillë”, u shpreh ajo.
Derisa Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se nuk është ai i cili duhet ta publikojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë, sipas tij, duhet të bëjë ndërmjetësi evropian.
Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
“Tash i përket ndërmjetësit [BE-së], i përket ndërmjetësit evropian që ta bëjë publik draftin dhe kjo është arsyeja pse unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia. Besoni që ka akterë të ndryshëm që mezi presin unë të bëjë shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës. Sa për mua le ta publikojnë edhe draft-statutin, e kësisoj të hapet edhe rruga për të publikuar edhe ne vërejtjet e kritikat tona”, tha Kurti para gazetarëve të premten në Prishtinë.
Kurti përsëriti se më 26 tetor, në takimin në Bruksel me liderët evropianë, ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar “paketën, jo njërin prej teksteve” që sipas tij nënkupton së pari Marrëveshje Bazike, Aneksi i zbatimit dhe pastaj draft-statuti.
Ndërkaq, në fillim të këtij viti arritën Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e tij.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Sipas Kurtit, duke refuzuar nënshkrimin, Serbia nuk dëshiron asociacion për serbët e Kosovës, por “kundër Kosovës”.
“U lëshua një shans unik e i jashtëzakonshëm që të vuloset normalizimi. Me këtë rast, më lejoni të theksoj që nëse Serbia do të ishte e interesuar për normalizim, përveç që nuk do ta shkelte Marrëveshjen Bazike të 27 shkurtit, njëkohësisht ajo do të bënte hapa të përparimit sa i përket kapitullit 35 të negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian”, tha Kurti.
Derisa kryediplomatja kërkoi durim për mospublikimin e dokumentit dhe nënvizoi se qeveria nuk do të pranojë diçka që është e dëmshme për Kosovën: “Drafti nuk ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës dhe nuk është e drejtë pyetja pasi përgjigja nuk varet nga ne. Po të ishte për neve si qeveri, ne menjëherë të nesërmen do ta kishim publikuar. Kjo është kërkesë e atyre që fasilitojnë procesin e negociatave”.
Gërvalla shtoi se takime trilaterale në Bruksel nuk mund të ketë derisa Bashkimi Europian të ndëshkojë Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë. Lidhur me njohjet e reja të pavarësisë, ministrja tha se nuk mund ta tregojë me saktësi se kur do të ketë: “Unë mund t’iu them se asnjë ditë nuk kalon pa punuar intensivisht për njohjet e reja, në radhë të parë të pesë vendeve jo njohëse të BE-së dhe pastaj në kontinentet të tjera”.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Kosova e Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./Reporteri.net/