Në përvjetorin e lindjes së kompozitorit e pedagogut të muzikës, Isa Jakupi, në Gjilan është mbajtur Koncerti i Traditës Muzikore nga krijimtaria artistike e kompozitorëve Isa Jakupi dhe Izet Kallaba, shkruan kryelajmi.com.
Ndryshe, ky koncert ishte përgatitur të mbahej më 25 tetor të vitit të kaluar, kohë kur gjithçka ishte përgatitur, por fatkeqësisht, dy ditë para mbajtjes së këtij koncerti kishte ndërruar jetë kompozitori Isa Jakupi. Mirëpo organizatorët në shenjë nderimi për këta dy kompozitorë dhe në ditëlindjen e profesorit Isa Jakupi, këtë koncert e mbajtën në mbrëmjen e kësaj të hëne. Një mbrëmje në të cilën u interpretuan këngë që kanë lënë gjurmë ndër vite.
Nga krijimtaria e Isa Jakupit u interpretuan këngët „Shpirt, sy e buzë t’i dua”, “Selami Hallaqit”, “Veç për vete”, “Sorkadhja”, “Shkollares fshatare”, “M’ke shtëpinë te shadërvani” dhe “Sy jeshile gojësheqere” të interpretuara nga Hekuran Bllaca, Nexhmije Huruglica, Florion Thaqi, Elona Sadiku, Remzi Leka dhe dueti Xhentian Jetishi dhe Herolinda Bucaliu.
U kënduan edhe kompozimet e Izet Kallabës „Këngë malli”, “Vajtojcat e Rekës”, “Është një këngë”, “Vallja e luleve” dhe “Vajzat heqin valle”,, të interpretuara nga Lumturie Shabani, Elona Sadiku dhe Herolinda Bucaliu.
Koncerti u organizua nga OJQ ClassiKos, me udhëheqës Burhan Azizin dhe Flamur Bucaliun, me koordinator Kushtrim Jakupin, të shoqëruar nga Orkestra Profesionale e Gjilanit. Projektin e mbështeti MKRS . Shkolla e Muzikës dhe Teatri i Qytetit.
Kompozitori Isa Jakupi studioi në Akademinë e Muzikës në Beograd, ku edhe udhëhoqi Shoqërinë e Studentëve Shqiptarë „Përpjekja“. Me dekada ai kontribuoi në edukimin muzikor në Gjilan, punoi në shumë shkolla të mesme, të larta e në akademi të muzikës. Me nismën e tij, në vitin 1979 në Gjilan nisi punën shkolla e muzikës. Ai punoi aty mësimdhënës i pianos e violinës dhe për 14 vite më radhë ishte drejtor i kësaj shkollë. Isa Jakupi është autor i mbi 140 këngëve [popullore si dhe për fëmijë. Nismëtar i “Flakës së Janarit”, kryetar i Shoqatës së Pavarur Kulturore, udhëheqës shumëvjeçar i shoqërive të ndryshme, fitues i shumë shpërblimeve, duke mbetur doajen i muzikës shqiptare.
Ndryshe, Izet Kallaba u lind në Roganë të Dardanës Shkollën e Mesme të Muzikës e përfundoi në Prizren e studimet universitare në Sarajevë e në Prishtinë. Ishte mësimdhënës në Dardanë, Gjilan, në Shkollën e Muzikës, ku për dhjetë vite ishte drejtor. Ai u shqua si instrumentist, solist, dirigjent kori e kompozitor dhe fitues i shumë çmimeve në muzikë, por edhe kontribuues e një ndër themeluesit e „Flakës së Janarit“, por edhe autor i dy librave.
Në fund organizatori ka nderuar me mirënjohje të dy kompozitorët për veprat e tyre jetësore në sferën e muzikës.