Çmimet e naftës dhe derivateve të saj këto ditë kanë arritur nivelin më të lartë në dy dekadat e fundit në Kosovë.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, kjo rritje është si pasojë e reduktimit të prodhimit te naftës në tregjet botërore. Ai tha se rritje pritet të ketë sërish dhe se askush nuk di se kur do të ndalet hovi i tyre. E si pasojë e rritjes së çmimeve të karburantit, është rritur edhe çmimi i biletave të autobusit, ndërsa ka paralajmërime se rritje do të ketë edhe për artikuj të tjerë, përfshirë edhe ata bazikë.
Çmimet e derivateve të naftës pritet të kenë rritje ekstreme, për shkak rritjes së këtyre çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Kështu tha për Radio Kosovën kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i cili bëri të ditur se shumë shpejt çmimi pritet të shkojë deri në 1euro e 60 centë, dhe sipas tij, nuk dihet se ku do të ndalet.
“Çmimet janë të shtrenjta për standardin tonë por kjo nuk varet nga ne. Unë po e shoh trendin që kemi rritje ekstreme të derivateve të naftës. Sipas trendit që po vazhdon, nuk do të dihet kur do të ndalet e a do të ndalet në 1 euro e 60 centë ose më tepër. Kjo është duke ndodhur në gjithë globin dhe nuk kemi çfarë të bëjmë”.
Berjani tha se rritja në bursë është mbi 20 dollarë për ton. Prandaj sipas tij, rritja është e paevitueshme, sepse kjo është duke ndodhur në të gjitha vendet e tjera.
E si pasojë e rritjes së çmimeve të karburantit, është rritur edhe çmimi i biletave të autobusit. Kështu ka njoftuar Kompania “Sharr Travel”, e cila mbanë linjën Prishtinë – Gjakovë. Nga katër euro sa ishte deri më tani, çmimi i biletës në këtë relacion është bërë pesë euro.
“Të nderuar klientë, bazuar në çmimet e larta të furnizimit me derivate të naftës e që për transport të udhëtarëve me autobusë është lëndë e parë furnizuese, nga sot çmimi i biletës Prishtinë – Gjakovë është 5 €. Sharr”, thuhet në njoftimin e tyre.
Rritje të çmimit të biletave të autobusit u raportua edhe për linjën Mitrovicë- Prishtinë.
Ndërkohë Radio Kosova ka kontaktuar edhe me kompaninë private të taksive “SHOFERI IM”, të cilët thanë se kanë bërë kërkesë për rritje dhe se po presin një vendim të komunës për të rritur çmimin e startit, i cili aktualisht është 1 euro e 50 cent. Menaxheri i kësaj kompanie, Gëzim Kajtazi, tha se do të ketë ndryshime pasi që javën e ardhshme është paralajmëruar edhe një rritje e çmimit të karburanteve.
“Do të këtë ndryshime, konkretisht nuk është vendosur asgjë. Disa prej kompanive kanë thënë se do të bëjnë kërkesë në komunë për të bërë rritjen e startit, pasi që shpenzimet e naftës janë rritur jashtë mase dhe po flitet se do të bëhet 1.60 euro litra e naftës, por prapëseprapë duhet pritur vendimi i komunës” tha ai.
Ditëve të fundit është folur edhe për rritje të çmimit të miellit, por më gjithë insistimin tonë për të mësuar më shumë për këtë, kryetari i Shoqatës se Mullisëve, Muhamet Farizi, ka refuzuar të flasë.
Ndërkohë kujtojmë se ditë më parë ZRRE ka vendosur që të rrisë çmimin e energjisë elektrike si dhe kthimin e bllok tarifave për konsumatorët e amvisërisë./rtklive/